Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe gruaja e tij Sophie i kanë dhënë fund martesës së tyre.
Çifti është ndarë pas 18 vitesh martesë teksa ka kaluar periudha të vështira duke mbërritur në ditën e sotme për t’i dhënë fund martesës së tyre.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram e Trudeau, kryeministri i Kanadasë shkruante se “do të donim të ndanim faktin se pas shumë bisedave domethënëse dhe të vështira, ne kemi marrë vendimin për t’u ndarë”.
“Si gjithmonë, ne mbetemi një familje, dhe ruajmë dashuri e respekt të thellë për njëri-tjetrin për gjithçka që kemi ndërtuar dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë. Për mirëqenien e fëmijëve tanë, ju kërkojmë të respektoni privatësinë tonë dhe të tyre”, shkruan Trudeau.
Thashethemet për martesën e Trudeau qarkullonin në Otava prej vitesh por mosmarrëveshja në marrëdhënien e tyre personale nuk u bë kurrë kryefjalë.
Njoftimi i së mërkurës pritet të trazojë jetën politike të Kanadasë. Ndarja nga gruaja vjen vetëm një javë pasi Trudeau prezantoi kabinetin e ri në një përpjekje për të rivendosur axhendën ekonomike të qeverisë së tij, shkruan Politico.
Gruaja e Trudeau nuk ka qenë e pranishme në jetën publike të Kanadasë veçanërisht në darkën e udhëheqësve të NATO-s ku ishin prezentë edhe bashkëshortet e tyre, që u mbajt në Vilnius të Lituanisë.