Kryeministri spanjoll Sánchez për armëpushimin e Trump me Iranin: “Nuk duartrokasim ata që i vënë flakën botës dhe pastaj shfaqen me një kovë ujë”

albnews
By
2 Min Read

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka bërë një nga komentet më të forta europiane për armëpushimin dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, të shpallur këtë javë nga presidenti amerikan Donald Trump.

Trump njoftoi se është arritur një marrëveshje armëpushimi mes dy vendeve, e cila do të lejojë Iranin të rihapë ngushticën strategjike të Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Shtëpia e Bardhë e ka paraqitur marrëveshjen si një sukses diplomatik, me zëdhënësen Karoline Leavitt që e cilësoi atë si një “fitore për Shtetet e Bashkuara”.

Por Sánchez e ka komentuar situatën me tone kritike, duke sugjeruar se armëpushimi nuk duhet të përdoret për të harruar pasojat e konfliktit.

Në një postim në rrjetin social X, ai shkroi:
“Armëpushimet janë gjithmonë një lajm i mirë, sidomos nëse çojnë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Por kjo lehtësim i përkohshëm nuk duhet të na bëjë të harrojmë kaosin, shkatërrimin dhe jetët e humbura.”

Kryeministri spanjoll shtoi një koment që është interpretuar si kritikë e drejtpërdrejtë ndaj politikës së Trump:
“Qeveria spanjolle nuk do të duartrokasë ata që i vënë flakën botës vetëm sepse shfaqen më pas me një kovë ujë.”

Ai theksoi se ajo që nevojitet tani është diplomacia, respektimi i ligjit ndërkombëtar dhe paqja.

Që nga fillimi i konfliktit, Spanja ka qenë ndër vendet europiane më kritike ndaj ndërhyrjes ushtarake amerikane në Iran. Ndryshe nga disa shtete të tjera europiane që hezituan në qëndrimin e tyre, Madridi e bëri të qartë kundërshtimin që në fillim, duke mos lejuar përdorimin e bazave ushtarake amerikane në territorin spanjoll për operacione kundër Iranit.

Vendimi shkaktoi tensione me administratën Trump, e cila kërcënoi Spanjën edhe me masa tregtare, por Sánchez mbajti qëndrimin e tij.

Share This Article