Ministria e Jashtme ruse i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos përfitojë nga kriza që ka përfshirë Rusinë pas rebelimit të grupit të Wagner.
“Përpjekje të tilla janë të kota dhe nuk do të gjejnë mbështetje as në Rusi dhe as në mesin e forcave të ndjeshme politike jashtë vendit”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë për mediat.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Rusisë, kryengritja ka hasur në refuzimin e mprehtë të shoqërisë ruse.
“Aspiratat aventurore të komplotistëve, në fakt kanë për qëllim destabilizimin e situatës në Rusi, shkatërrimin e unitetit tonë dhe minimin e përpjekjeve të Federatës Ruse që synojnë të garantojnë siguri të besueshme ndërkombëtare. Ne jemi të bindur se në të ardhmen e afërt situata do të gjejë një zgjidhje të denjë për mençurinë shekullore të popullit rus dhe shtetit rus”, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin pretendon se ata kanë hyrë në qytetin jugor të Rostov-on-Don dhe morën kontrollin e shtabit ushtarak jugor pa hapur zjarr.
“Pa asnjë të shtënë, ne kapëm ndërtesën e selisë. Ne nuk kemi ndërhyrë në punën e asnjë personi”, tha Prigozhin në një postimin në Telegram.
Ai pretendon se ka marrë edhe mbështetjen e qytetarëve sepse, sipas tij, veprimet e tyre janë të drejta, duke shtuar se ushtria ruse ka sulmuar autokolonat e tyre.
“Pse na mbështet vendi? Sepse ne po bëjmë një marsh drejtësie. Na sulmuan që në fillim me artileri dhe më pas me helikopterë. Nuk kemi prekur asnjë rekrut të vetëm. Nuk vramë asnjë person gjatë rrugës”, shtoi Prigozhin.
Megjithatë, media shtetërore ruse raporton se disa të shtëna armësh dhe një shpërthim janë dëgjuar jashtë selisë së Qarkut Ushtarak Jugor.
Ndërkohë një kolonë e Wagner me automjete të armatosura është duke udhëtuar në rajonin në jug të Moskës. Edhe Voronezh është një nga dy qytetet, pas Rostov-on-Don, në të cilin mercenarët e Wagner thuhet se kanë marrë kontrollin.
Prigozhin akuzon ushtrinë ruse për një sulm vdekjeprurës ndaj forcave të tij në Ukrainë, ku trupat Wagner po luftojnë për Rusinë, por Moska e i ka mohuar këto pretendime.
Presidenti i Rusisë, Vladimi Putin ka dënuar rebelimin e grupit mercenar Wagner, duke e konsideruar si “tradhti të lartë”. Në fjalimin e tij, Putin tha se ata janë “mashtruar në një aventurë kriminale, ndërsa theksoi se e ardhmja e Rusisë është në rrezik, duke i përshkruar veprimet e kryengritësve si një “thikë pas shpine”.