Kryeqyteti i Lituanisë, Vilnius, është duke u shndërruar në një kafene gjigande të hapur ku autoritetet lejojnë baret dhe restorantet të vendosin tavolina falas në mënyrë që të respektojnë rregullat e distancës sociale, teksa vendi gradualisht po lehtëson masat e bllokimit.
Dyqanet, parukierët, bibliotekat, muzetë dhe kafenetë u lejuan të rihapeshin në të gjithë Lituaninë të hënën.
Lituania ka regjistruar 44 vdekje dhe 1.344 raste pozitive të virusit që nga fillimi i shpërthimit, sipas një informacioni të mbajtur nga Universiteti John Hopkins, shkruan Euronews.
Por kafenetë dhe restorantet ende duhet t’u përmbahen rregullave të rrepta të distancës fizike, në mënyrë që të rifillojnë punën vetëm në pjesën e jashtme dhe klientët e ulur në tavolina të ndryshme të jenë së paku dy metra larg.
Sipas kryetarit të komunës së Vilnius, Remigijus Šimašius, kjo do të përjashtonte shumicën e bizneseve si pasojë e rrugëve të ngushta me kalldrëm.
Prandaj qyteti ka vendosur të hapë 18 vende publike për t’u përdorur nga kafenetë dhe restorantet.
“Kafenetë do të vendosen në plazat, sheshet dhe rrugët ku do të jenë në gjendje të vendosin tavolina pa pagesë këtë sezon dhe kështu të zhvillojnë aktivitetet e tyre gjatë karantinës. Thjesht hapni, punoni, mbani punë dhe mbani Vilnius gjallë”, tha Šimašius javën e kaluar.
Masa është mirëpritur nga pronarët e bareve dhe kafeneve teksa shprehen se ky vendim “erdhi fiks në kohë”.
“Kjo hapësirë shtesë do t’i ndihmojë ata të akomodojnë më shumë vizitorë dhe të rikthejnë jetën në rrugët e qytetit pa shkelur kërkesat e sigurisë,” shtoi një eksperte hotelerie.
Më shumë se 162 kafene, bare dhe restorante kanë aplikuar për të vendosur tapiceri në vende publike dhe qyteti ka thënë se më shumë hapësirë mund të vihet në dispozicion nëse është e nevojshme./bota.al