Partia Demokratike ka thirrur mbledhjen e Kryesisë të hënën në orën 12:00, nën drejtimin e Kryetarit Sali Berisha.
Në këtë mbledhje do të diskutohet për vazhdimin e aksionit opozitar dhe organizimin e protestës së paralajmëruar më 22 mars, ndërsa pritet të merren edhe vendime të rëndësishme për proceset e brendshme të partisë.
Burime nga PD i kanë bërë të ditur gazetares së RTSH, Anisa Kadesha, se Kryesia do të hapë procesin zgjedhor në degët e partisë që janë në përfundim të mandatit statutor.
Gjithashtu, pritet të miratohet edhe data e thirrjes së Kuvendit Kombëtar, e cila më pas do t’i propozohet për votim Këshillit Kombëtar.
Kuvendi i demokratëve pritet të votëbesojë drejtuesit e rinj të PD-së, duke hapur garën për të gjitha postet drejtuese.
Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes lidhet me ndryshimet statutore.
Për këtë qëllim, Kryesia do të miratojë ngritjen e një grupi të posaçëm pune, i cili do të hartojë propozimet për reformimin e strukturës organizative të partisë.
Po të hënën, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, do të mblidhet edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Gjithashtu mësohet se në mbledhje pritet të përcaktohet agjenda e opozitës në Kuvend, sidomos pas vendimit të shumicës parlamentare që votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.


