Kryesia zyrtarizon 2 kandidaturat në garën për kreun e PD-së së vulës

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Lulzim Basha dhe Gjergj Hani janë 2 kandidatët zyrtar për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet që priten të mbahen në 29 korrik.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia i dha dritën jeshile këtyre 2 emrave që kërkojnë të marrin drejtimin e kësaj force politike, e cila nuk ndodhet në ditët e saj të mira, e përçarë në më shumë se 2 pjesë. Në deklaratën zyrtare pas marrjes së vendimit, Kryesia tha se ky është një moment vendimtar për PD, teksa u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të jenë pjesë e këtij procesi.

“Miratimi i kandidaturave për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike. Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorgnizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro-perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim”, thuhet në deklaratë.

Në mbledhje morën pjesë 17 anëtarë, 14 në sallë dhe 3 online, teksa ra në sy mungesa e Gazment Bardhit dhe një pjese të konsiderueshme të deputetëve. Nisur nga kjo, Kryesia e ka cilësuar si të papranueshëm qëndrimin bojkotues.

“Nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike. Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia.

Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë”, përfundon deklarata.

Ky proces ka ndezur një përplasje të re brenda Partisë Demokratike zyrtare. Bardhi dhe një sërë deputetësh janë kundër që zgjedhjet të zhvillohen së shpejti pasi janë të mendimit që ky proces duhet të nisë nga baza dhe më pas të vijojë në krye. Mirëpo, Kryesia ka qenë e mendimin që kryetari i ri duhet të zgjidhet sa më shpejt.

Morëm pjesë në mbledhje

Enkelejd Alibeaj

Indrit Sefa

Fitim Zekthi

Flutura Açka

Kreshnik Çollaku

Gazmend Koduzi

Xhemal Gjunkshi

Endri Hasa

Gentian Gaba

Jemin Gjana

Taulanda Jupi

Taulant Zeneli

Roland Bejko

Arber Agalliu

Online

Orjola Pampuri

Merita Bakiu

Agron Kapllanaj

Share This Article