Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është përballur me akuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Parlamentit në gjykatën e Prishtinës.
Prokuroria ka kërkuar që Konjufca të dënohet për këtë veprim, ndërsa avokatja e kreut të Kuvendit ka kërkuar lirimin e klientit të saj nga akuza.
Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë duke bërë të pamundur zhvillimin më tej të punimeve parlamentare.
Prokurori Besart Mustafa tha se bazuar në provat materiale është vërtetuar se Konjufca ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Ai kërkoi që Konjufca të shpallet fajtor për veprën dhe të dënohet sipas ligjit.