Kryetarja e Partisë Konservatore britanike, Kemi Badenoch është pyetur ditën e sotme nga gazetarët se përse u ka thënë deputetëve të saj që të mos kritikojnë Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump dhe gjithashtu se çfarë do të bënte në përgjigje të tarifave të afërta të paralajmëruara prej tij.
Sipas mediave të huaja, udhëheqësja konservatore u përgjigj se është “thjesht e rreme” të thuhet se ajo u ka thënë deputetëve të saj të mos kritikojnë Trump.
Sa i përket tarifave, ajo thotë: “Ne nuk duhet të përfshihemi në një luftë tregtare apo hakmarrje kokë më kokë – kjo i bën të gjithë më të varfër”.
Zgjidhja e saj është një “marrëveshje tregtare MB-SHBA ASAP”.
Ajo thotë se qeveritë konservatore që ishin në pushtet gjatë kohës së mandatit të parë të Donald Trump në detyrë nga viti 2017 deri në vitin 2021, ishin “në rrugë të mbarë” për të arritur një marrëveshje tregtare, megjithëse kjo padyshim nuk u arrit, dhe vetë Trump “kishte derdhur ujë të ftohtë mbi idenë”.
Ajo vazhdon duke thënë se administrata e Biden nuk donte të binte dakord për një marrëveshje tregtare me “asnjë vend”, por “tani është koha që ne ta nisim atë dhe të lëvizim me shpejtësi”.
Marrëveshja duhet të prekë të gjithë sektorët e ekonomisë, shton ajo.