Një ushtar azer dhe dy ushtarë armenë raportohet të jenë vrarë në luftimet e reja përgjatë kufirit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, sipas zyrtarëve ushtarakë në Baku dhe Yerevan.
Armenia dhe Azerbajzhani e kanë fajësuar njëra-tjetrën për dhunën e përgjakshme dhe të dyja palët kanë paralajmëruar se tensionet në zonën kufitare janë duke eskaluar, shkruan Free Europe.
Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se forcat azere hapën zjarr rreth orës 15 e 15 minuta të martën në zonën kufitare afër Verin Shorzha-s, në provincën lindore, Gegharkunik. Fillimisht raportoi për një ushtar armen të plagosur, por më vonë të dhënat u plotësuan duke raportuar dy të vrarë e dy të plagosur.
Ministria armene gjithashtu pretendoi se më vonë të martën, forcat azere kanë përdorur artileri përgjatë kufirit dhe gjithashtu kanë përdorur dronë, duke shtuar se të shtënat nga forcat azere “janë shtypur për shkak të veprimeve hakmarrëse të anës armene”.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit raportoi se një ushtar azer është vrarë në zonën kufitare me Armeninë, “si rezultat i një provokimi armen në drejtim të distriktit Kalbacar të Azerbajxhanit”.
Ministria azere mohoi se ushtria e saj ka përdorur artileri ose dronë, duke thënë se forcat azere “ishin duke iu kundërpërgjigjur një provokimi nga armiku”. “E tërë përgjegjësia për tensionet e fundit bie mbi udhëheqësin politiko-ushtarake të Armenisë”, thuhet më tej në deklaratë.