Tifozët mund të kthehen në stadiumet e futbollit në Angli javën tjetër, duke i dhënë fund mungesës prej tetë muajsh për shkak të kufizimeve që erdhën pas paraqitjes së COVID-19. Derisa vendimi i qeverisë për të hapur stadiumet është mirëpritur, ai gjithashtu paraqet një seri problemesh të reja për klubet, raporton Reuters.
Pengesat e para për klubet pritet të largohen të enjten, kur qeveria britanike do të njoftojë se në cilat nivele të kufizimeve do të vendosen rajonet në Angli. Klubet që hyjnë në zonat e nivelit të tretë, që përmbajnë kufizimet më të rrepta, nuk do të lejohen ende që t’i lënë tifozë në stadiumet e tyre. Vetëm klubet në rajonin me rrezikun më të ulët, niveli i parë, do të lejohen të kenë maksimum katër mijë tifozë në tribuna, derisa klubet e zonave të nivelit të mesëm do të kufizohen në dy mijë shikues.
“Kështu që bazuar në vendimin e qeverisë, disa klube do të kenë tifozë që i mbështesin ata në ndeshjet si vendase, derisa të tjerat do të luajnë në stadiumet boshe. Besoj se kjo është një konkurrencë plotësisht e padrejtë”, tha ish-kapiteni i Manchester Unitedit, Gary Neville, i cili është bashkëpronar i ekipit të divizionit të katërt (League Two), Salford City.
Edhe ato klube që lejohen të kenë tifozë në stadiume nga data 2 dhjetor do të duhet të sigurojnë që janë konsultuar me grupet lokale këshilluese të sigurisë dhe kanë marrë lejen për një gjë të tillë.
Klubet gjithashtu do të duhet të sjellin stafin e stadiumit, përfshirë oficerët e sigurisë, disa prej të cilëve mund të jenë shkarkuar gjatë pandemisë, duke i kthyer legalisht në punë vetëm për ndeshjet.
Oxford United, i cili luan në divizionin e tretë (League One), pret që të jetë në nivelin e dytë, që do të thotë se mund të ketë dy mijë tifozë në “Kassam Stadium”, me një kapacitet prej 12.500 ulëseve.
Por drejtori i klubit, Niall McWilliams, tha që kjo mund të mos jetë e mundur menjëherë.
“Disa javë më parë ne i kemi dorëzuar planet për një lojë testuese me një mijë tifozë dhe fillimisht duhet të presim ta bëjmë këtë test përpara se të lejojmë kthimin e tifozëve sipas vendimeve të qeverisë”, shtoi McWilliams.
Pastaj ekziston çështja tjetër, se cilët tifozë do të jenë me fat që të lejohen të marrin pjesë në ndeshje. Klubet do të duhet të tregohen të kujdesshme në këtë çështje, duke iu dhënë përparësi tifozëve me bileta vjetore. Ekipi nga Premier League, Chelsea, po punon në planin për të akomoduar sa më shumë tifozë që të jetë e mundur në stadiumin “Stamford Bridge”.
“E kemi një plan dhe shpresojmë që tifozët të mos preken”, thuhet në përgjigjen e klubit nga Londra.
Ndërkohë, te Rotherham United e kanë ndërmend që çështjen e tifozëve ta zgjedhin nëpërmjet lotarisë, për të mos krijuar situata të pakëndshme.
“Vetëm me anë të lotarisë mund t’i qetësojmë tifozët dhe kështu do të veprojmë”, tha Tony Stewart, kryetar i klubit.
Rikthimin e tifozëve në tribuna e kanë mirëpritur edhe trajnerët Pep Guardiola e Juergen Klopp, një veprim ky që është përshkruar nga liga angleze si një “litar shpëtimi” për klubet më të vogla. Trajneri i Manchester Cityt, Guardiola, tha se pavarësisht që numri i tifozëve do të jetë i kufizuar, ai është i lumtur që sërish do të shohë një pjesë të vogël të tribunave të “Etihad Stadium” të mbushura.
“Besoj se ky është vendimi më i mirë i mundshëm pas tetë muajve pa tifozë dhe shpresoj që do të funksionojë. Nuk mendoj se do të ketë probleme pasi qeveria përpara se ta marrë këtë vendim është konsultuar me shkencëtarët dhe mjekët. Me padurim pres t’i shoh tifozët tanë, edhe pse nuk do të jenë në numër të madh. Prania e tyre do t’i motivojë edhe lojtarët”, është shprehur Guardiola.
Ndërkohë, trajneri i Liverpoolit, Klopp, ka thënë se do të ishte mirë që numri i tifozëve të ishte më i madh. Megjithatë, ka shtuar se është një sinjal i mirë se futbolli po i kthehet normalitetit.
“Nuk po kuptoj se pse do të lejohen vetëm dy mijë tifozë në një stadium me kapacitet prej 60 mijë ulëseve. Mirëpo nuk jam i befasuar. Ky është një lajm dhe shenjë e mirë për të gjithë”, është shprehur Klopp.
Klubet e Premier Leagues kanë mirëpritur njoftimin e qeverisë, por kanë bërë të qartë se vetëm kthimi i turmave më të mëdha do të lehtësonte problemet financiare të futbollit. Deri të enjten asnjë prej ekipeve elitare nuk e di se në cilën zonë gjendet dhe sa tifozë do t’i lejohen në ndeshjet si vendas. Tri prej klubeve më të mëdha – Liverpooli, Manchester Unitedi e Manchester City – aktualisht ndodhen në zonën e nivelit të tretë me kushte më të rrepta dhe mbetet të shihet nëse do t’iu lejohen tifozët në ndeshjet si vendas.