Përmes një sqarimi nga Kuvendi i Kosovës për votimin e Qeverisë Hoti, është kuptuar se gjashtë deputetë të koalicionit të ri qeverisës, LDK-AAK-Nisma, nuk kanë votuar pro kësaj qeverie.
Në sqarim bëhet e ditur se tre deputetë të LDK-së nuk votuan pro Qeverisë Hoti, ndërsa mungoi edhe një votë nga Grupi Parlamentar i AAK-së dhe dy nga minoritetet joserbe.
Avdullah Hoti i LDK-së u bë kryeministër të mërkurën me 61 vota nga 86 deputetë që votuan.
Sipas sqarimit të Kuvendit, nga LDK-ja në këtë seancë kanë munguar Vjosa Osmani e Haxhi Avdyli. Ndërkaq nga 26 deputetët e pranishëm të LDK-së, Fatmir Rexhepi kishte abstenuar. 25 deputetë kishin votuar pro.
Te Grupi Parlamentar i AAK-së, nga 13 deputetë, pro kishin votuar 12, derisa Donika-Kadaj-Bujupi kishte liruar sallën në kohën e votimit.
Grupi Parlamentar i Nismës dhe AKR-së, dhe ai i Listës Serbe kishin votuar të gjithë deputetët pro, 6 të koalicionit Nisma-AKR dhe 10 të Listës Serbe.
Ndërkaq nga minoritetet joserbe, nga 10 deputetë, në seancë munguan Zikreta Aliti dhe Elbert Krasniqi. Tetë vota ishin pro.
Në fund rezultati ishte ky: 61 vota pro, 24 kundër (deputetët e PDK-së) dhe një abstenim (Fatmir Rexhepi i LDK-së)