“Ka ardhur koha për ringjalljen e industrisë së turizmit në BE dhe për riaktivizimin e miqësive tejkufitare”, ka thënë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Propozojmë që të mirëpresim sërish vizitorë të vaksinuar dhe ata nga vendet me pasqyrë të mirë epidemiologjike”
Udhëtimet ajrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar shifrën më të lartë që nga shpërthimi i COVID-19 rreth 13 muaj më parë, përderisa zyrtarët në Bashkimin Evropian kanë propozuar zbutjen e kufizimeve për vizitorët teksa fushatat e vaksinimit kanë sheshuar numrin e rasteve të infektimit dhe të vdekjeve nga koronavirusi.
Pasqyra e përmirësuar në shumë shtete, ndërkaq përbën një kontrast të theksueshëm prej katastrofës së përkeqësuar në Indi.
Në SHBA, shifra mesatare ditore e rasteve të reja ka rënë nën 50.000 për të parën herë që nga tetori. Ndërsa afro 1.67 milion qytetarë kanë kaluar nëpër aeroportet amerikane vetëm të dielën, shifër kjo më e lartë që prej mesmarsit të vitit të shkuar, kanë treguar të dhënat e Administratës së Sigurisë në Transport.
Në anën tjetër, zyrtarë të BE-së kanë paraqitur të hënën propozimin për zbutjen e kufizimeve në vizitat realizuar 27 vendeve të bllokut gjatë verës, ani pse vendimi përfundimtar do të merret nga liderët e qeverive anëtare.