Akullorja është ëmbëlsira më e preferuar e njerëzve gjatë verës, por nëse porosisni një kupë nga një akullore që shitet në Japoni, me shumë gjasa do t’iu kushtojë më tepër se e gjithë shuma që keni shpenzuar gjatë jetës suaj për akullore.
Akullorja e quajtur “nata e bardhë” shitet për momentin plot 880 mijë jen, ose 6380 dollarë, duke u bërë zyrtarisht akullorja më e shtrenjtë në botë, sipas Librit të Rekordeve “Guinness”.
Kompania që ofron këtë akullore quhet “Cellato”, një fjalë që rrjedh nga italishtja “gelato”, që do të thotë akullore. Ajo që e bën kaq të shtrenjtë këtë akullore është tartufi i bardhë, që vjen ekskluzivisht nga krahina Alba e Italisë. Sipas Librit të Rekordeve “Guinnes”, ky përbërës kushton rreth 14500 dollarë për kilogram.
Akullores i vendoset sipër një fletë ari e ngrënshme, dy lloje djathërash dhe “sakekasu”, një përbërës si pastë, derivat i sakes, pijes tradicionale japoneze.
“Na u desh 1 vit e gjysmë për ta realizuar, me shumë prova dhe gabime, për të gjetur shijen e duhur”, tha një përfaqësues i kompanisë për Librin e Rekordeve “Guinnes”.
Akullorja shitet vetëm në Japoni për momentin dhe porositë pranohen nga çdo qytet i vendit, bashkë me instruksionet se si të konsumohet.
Klientëve u rekomandohet të lënë akulloren të shkrijë në temperaturë dhome, pastaj t’i hidhet tartufi dhe të përzihet me një lugë metalike që u jepet bashkë me akulloren. Gjithashtu, rekomandohet që të shoqërohet me një gotë verdhë të bardhë, franceze.
Për momentin akullorja ofrohet edhe me tartuf të zi, por kompania thotë se në të ardhmen do të ofrojë edhe akullore me shampanjë dhe havjar.