Në zemër të Stambollit – qyteti i lashtë që dikur quhej Bizant, pastaj Kostandinopojë, dhe më pas Roma e Re – Kulla e Vashës, e njohur si Kız Kulesi, qëndron krenare mbi një shkëmb të vogël në mes të Bosforit. Kjo ndërtesë simbolike ka shërbyer si një pikë ndërlidhjeje mes dy kontinenteve për më shumë se 2500 vjet.
Rruga drejt kullës nis në skelën Karaköy, ku vizitorët nga mbarë bota ndalen për të eksploruar restorantet buzë detit dhe për të parë anijet që kalojnë ngushticën. Me më shumë se 23 milionë turistë të huaj në 2024, Stambolli renditet si destinacioni i dytë më i vizituar në botë, sipas Euromonitor International.
Nga moli, një varkë turistike çon vizitorët drejt Kullës së Vashës. Gjatë udhëtimit të shkurtër dhe panoramik, ata mund të shohin gjallërinë e Bosforit, ku çdo vit kalojnë rreth 30 000 anije. “Është një nga ngushticat më të zëna në botë,” thotë historiani Saffet Emre Tonguç për CNN.
Një kullë me shumë mistere
E ndërtuar fillimisht në vitin 410 p.e.s. si pikë doganore për kontrollin e anijeve që lundronin nga Deti i Zi, Kulla e Vashës ka pasur një histori të pasur dhe plot ndryshime. Gjatë epokës bizantine, ajo u shndërrua në kullë mbrojtëse nga perandori Manuel I Komneni, ndërsa në periudhën osmane, Sulltan Mehmeti II e forcoi atë duke e kthyer në një kështjellë prej guri.
Nga shekulli i 17-të, kulla nisi të shërbente si far detar, një funksion që e mbajti për një kohë të gjatë. Në vitet 1830, gjatë epidemive të kolerës, izolimi i saj nga qyteti e bëri ideale si spital karantine. Në vitet 1980, kulla u përdor për të ruajtur cianid, ndërsa në 1992, një grup poetësh shpallën atë si “Republikë Poezie”.
Kulla e vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2500
Kulla e Vashës është e mbushur me mite. Një nga legjendat më të njohura flet për një mbret që ndërtoi kullën për të mbrojtur vajzën e tij nga një profeci për një kafshim fatal gjarpri. Megjithatë, një gjarpër që fshihej në një shportë frutash e realizoi parashikimin.
Një tjetër tregim lidhet me mitin e Ovidit për Leandrin, që notonte çdo natë drejt kullës për të takuar të dashurën e tij. Një natë fatale, ai mbytet dhe dashuria e tij merr jetën e vet. Kulla madje është quajtur edhe partnerja e Kullës së Gallatës në një marrëdhënie imagjinare romantike, duke simbolizuar lidhjen mes dy brigjeve të qytetit.
Pas një restaurimi dyvjeçar, Kulla e Vajzës u rihap në mars 2024 si një monument-muze modern, shkruan A2 CNN. Arkitekti Han Tümertekin dhe ekipi i tij synuan të rivendosin karakteristikat e saj origjinale, të humbura nga ndërhyrjet e shekullit të 20-të.
Sot, vizitorët mund të ngjiten në shkallët e brendshme të reja dhe të shijojnë një pamje të mrekullueshme të Stambollit nga platforma e saj e vëzhgimit. Pasi eksplorojnë kullën dhe ishullin e saj të vogël, shumë shijojnë një pije në kafenenë e thjeshtë aty pranë.
Kulla e vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2500
Megjithëse një vizitë në Kullën e Vashës kushton 27 euro plus 5 euro për transportin me varkë, ajo mbetet një përvojë unike. Për ata që kanë një biletë për muzetë e Stambollit, hyrja është më e leverdishme, megjithëse çmimi i saj është 105 euro.
Tonguç e konsideron restaurimin një hap të nevojshëm për mbrojtjen e këtij monumenti të lashtë. “Monumentet historike të Stambollit janë ndërtuar për të përballuar shekuj të tërë tërmetesh, përmbytjesh dhe zjarresh,” thotë ai. “Ato janë ndërtuar për të qëndruar përjetësisht.”
Në mes të Bosforit, Kulla e Vashës vazhdon të jetë një simbol i historisë dhe magjisë së Stambollit, një lidhje midis kontinenteve dhe epokave të ndryshme.