Kundërofensiva e Ukrainës ndaj agresorëve rusë do të vazhdojë në muajt e ardhshëm, pavarësisht se përkeqësimi i motit do të vështirësojë luftimet, tha të shtunën kreu i agjencisë ukrainase të zbuliumit, Kyrylo Budanov.
“Aksionet luftarake do të vazhdojnë në një mënyrë a një tjetër. Në të ftohtë, në shi dhe në baltë, është më e vështirë të luftosh. Luftimet dhe kundërofensiva do të vazhdojë,” tha zoti Budanov.
Kundërofensiva e Ukrainës ka dhënë më shumë rezultat në jug të vendit, ku forcat e mbrotjes kanë arritur të çlirojnë mbi 10 fshatra në tre muajt e fundit.
Forcat e armatosura të Ukrainës po bëjnë “përparime taktike graduale ” kundër vijës mbrojtëse të Rusisë në lindje të qytetit Robotyne, tha të shtunën ministria britanike e Mbrojtjes në njoftimin e saj të përditshëm mbi agesionin rus ndaj Ukrainës.
Kundërofensiva e ndërmarrë nga Ukraina ka qenë më e ngadaltë nga sa pritej për shkak të zonave të mëdha të minuara dhe vendosjes së trupave ruse.
Komentet e zotit Budanov, të bëra gjatë një konference për shtyp në Kiev, tregojnë se Ukraina nuk ka ndërmend të ndalë kundërsulmin e saj kur moti të përkeqësohet në muajt në vazhdim.
Rezultatet e kundërofensivës kanë ngritur shqetësime mes përkrahësve të Kievit se Perëndimi mund të përballet me një betejë të vështirë për të vazhduar ndihmën ndaj Ukrainës si edhe mbështjetjen e nevojshme ushtarake që Kievi të vazhdojë luftimet me të njëjtin intensitet./ VOA