ALB UK News

Menu
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • UK
  • Kina
  • Diaspora
  • Bota
  • Maqedonia
  • Sports
  • Show – Biz
    • Kulture
    • Technologji
    • Opinion
    • Shendetesi
    • Shqiperia
    • Popular
  • ALBUK.TV
  • Kontakto
    • Live TV & Studio Kontakt
    • Termat dhe Kushtet
    • Terms and Condition
  TRENDING
Pistat më të pazakonta të aeroporteve në botë 56 minutes ago
Operacioni “Roja Lindore”, NATO vendos pajisje në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë 59 minutes ago
Ekipi i Starmer është ‘futur në bunker’ që nga riorganizimi i kabinetit, thotë deputeti i Partisë Laburiste 2 hours ago
Bashkëshortja e Charlie Kirk u drejtohet “përgjegjësve” për atentatin: Nuk e keni idenë çfarë force të papërmbajtshme keni lëshuar në mbarë botën 2 hours ago
Kosova nuk mund të fajësohet për dështimet e politikës së jashtme amerikane 2 hours ago
Next
Prev
Home Kosova

Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut

albnews by albnews
13 September, 2025
in Kosova
0
Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut
  • Facebook
  • Share on X
  • LinkedIn
  • WhatsApp
  • Email
  • Copy Link

Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është një rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

RelatedPosts

Kosova nuk mund të fajësohet për dështimet e politikës së jashtme amerikane

Zgjedhjet lokale në Kosovë, nis zyrtarisht fushata elektorale

Analiza: Pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA, “sinjal i distancimit” nga Kurti

Ai shton se ky veprim synon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë.

Kupchan thekson gjithashtu rëndësinë e kompromisit dhe të negociatave me mirëbesim midis të gjitha partive politike në Kosovë, për të rivendosur stabilitetin dhe për të ecur përpara.

“… kjo tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme, për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë”, thotë Kupchan.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kupchan, sa i rëndësishëm është vendimi i Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën?

Charles Kupchan: Mendoj se kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për një kohë të gjatë, nuk ka avancuar. Me ndryshimin e administratës në Uashington, kishte shpresë se presidenti [Donald] Trump – ashtu si gjatë mandatit të tij të parë – do të mund të riangazhohej në Dialogun Strategjik me Kosovën, në përpjekje për të ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dhe, tani, kemi një njoftim nga Ambasada [amerikane] në Prishtinë, që në thelb thotë: po tërhiqemi, po e pezullojmë Dialogun Strategjik.

Në shumë aspekte, kjo është një shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë në Kosovë, e cila praktikisht ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet në fillim të këtij viti.

Por, po ashtu, është rezultat i një frustrimi të grumbulluar: janë dashur disa muaj për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani Kurti fyen Gjykatën Kushtetuese. Para zgjedhjeve, Kurti ka marrë vendime për një gamë të gjerë çështjesh – nisur nga ndalimi i dinarit serb deri tek instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri apo mosçuarja përpara e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ka një perceptim të gjerë këtu në Uashington dhe në Evropë se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës.

Ndaj, mendoj se pezullimi i Dialogut Strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi.

Radio Evropa e Lirë: Ambasada amerikane tha se veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Kurti, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”. Sa i fortë konsiderohet ky paralajmërim në Uashington?

Charles Kupchan: Është një paralajmërim i fortë. Por, nuk mendoj se është ndryshe nga disa deklarata të bëra gjatë administratës së [presidentit Joe] Biden, kur anëtarë të ndryshëm flisnin hapur për veprimet e Qeverisë Kurti, duke i konsideruar si të panevojshme dhe provokuese.

Pas zgjedhjeve kishte shpresë se Kurti do të merrte një qëndrim më të moderuar dhe do të ulte nacionalizmin që përdorte si mjet politik para zgjedhjeve, por duket se kjo nuk ka ndodhur.

Ne shohim një vend që, për pjesën më të madhe të këtij viti, nuk ka pasur një qeveri funksionale. Ky është një problem.

Ne jetojmë në një botë me shumë probleme të mëdha – qoftë lufta në Ukrainë, situata në Lindjen e Mesme, tensionet në rritje me Kinën – dhe gjëja e fundit që na nevojitet, është rritja e paqëndrueshmërisë në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se SHBA-ja zgjodhi të pezullojë Dialogun Strategjik dhe jo të marrë ndonjë masë tjetër?

Charles Kupchan: Gjatë Qeverisë së mëparshme të Kurtit kemi parë se si Shtetet e Bashkuara, por edhe BE-ja kanë marrë hapa për të ulur nivelin e angazhimit të tyre me Kosovën.

Kjo është edhe një përpjekje tjetër për ta shtyrë Kurtin të ecë përpara, të formojë një qeveri funksionale dhe të riangazhohet në sfidat e vështira që ka Kosova dhe rajoni.

Pra, SHBA-ja po përdor presionin për ta shtyrë Kurtin të ketë një qasje më konstruktive, si në formimin e qeverisë, ashtu edhe në dialogun me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë humb në të vërtetë Kosova pa këtë dialog?

Charles Kupchan: Kosova e gjen veten më të izoluar.

Nga ana tjetër, Donald Trump e sheh veten si paqebërës dhe negociator, madje ka shprehur dëshirën të fitojë Çmimin Nobel për Paqe. Ai disa herë ka përmendur suksesin në dialogun Kosovë-Serbi. Në mandatin e parë ka pasur edhe një marrëveshje të negociuar nga [Richard] Grenell. Prandaj, kjo çështje është në radarin e Trumpit, dhe besoj se ai do të donte të arrinte përparim në këtë drejtim.

Kosova mund të mbajë marrëdhënie të mira me Evropën dhe SHBA-në vetëm nëse shihet se po negocion me mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive, për të çuar rajonin përpara.

Por, tani, kemi një situatë ku Prishtina jo vetëm që nuk po bën përpjekje konstruktive për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë], por, prej muajsh, nuk ka as qeveri funksionale.

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja, në të njëjtën kohë, po përgatit Dialogun Strategjik me Serbinë. A e ndryshon ekuilibrin rajonal pezullimi i procesit me Kosovën dhe avancimi i atij me Serbinë? Dhe çfarë rreziqesh sjell kjo?

Charles Kupchan: Kjo ka të bëjë kryesisht me dërgimin e një mesazhi.

Kur pyet se çfarë mjetesh ka SHBA-ja për të shprehur pakënaqësinë dhe për të ushtruar presion mbi Kurtin, një nga përgjigjet është pezullimi i Dialogut Strategjik.

Kjo është një përpjekje publike për të shtuar presionin mbi Kurtin, veçanërisht kur e krahason me Dialogun Strategjik me Serbinë. Angazhimi me Serbinë krijon presion publik që ai të formojë një qeveri dhe të rikthehet në dialogun me Beogradin.

Radio Evropa e Lirë: Kjo ndodh vetëm disa ditë pasi Kurti kritikoi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vonimin e procesit për formimin e qeverisë dhe e quajti atë një “hije politike të opozitës”. Sa i rëndësishëm është ky institucion për Uashingtonin, sipas mendimit tuaj?

Charles Kupchan: Është pak e vështirë për SHBA-në të kritikojë deklarata të tilla nga Kurti, ndërkohë që këtu në SHBA përballemi me tensione mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit, si dhe mes ekzekutivit dhe Kongresit.

Por, kemi parë në shumë vende – qoftë Hungari, Poloni apo Turqi – situata ku liderët e zgjedhur përpiqen t’i intimidojnë gjykatat, duke i akuzuar se janë kapur nga opozita. Ky lloj diskursi, ky lloj kërcënimi nga politikanët ndaj gjykatave, mendoj se ngre shqetësime për sundimin e ligjit.

Kjo ngriti shqetësime në lidhje me përpjekjet e mundshme të Kurtit për të tejkaluar kufizimet kushtetuese mbi pushtetin ekzekutiv. Mendoj se kjo është arsyeja përse ky lloj diskursi shkaktoi një reagim të fortë nga Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Ambasada e SHBA-së tha se bisedimet mund të rifillojnë kur të jetë e përshtatshme. Çfarë mjetesh prisni që Uashingtoni të përdorë, nëse situata në terren nuk ndryshon?

Charles Kupchan: Mendoj se mjeti kryesor është izolimi. Mjeti kryesor është të mbash qeverinë – që në fakt nuk ekziston – por autoritetet e Kosovës në distancë të kontrolluar.

Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara duan të ndërmarrin veprime që do të ishin kundërproduktive. Me fjalë të tjera, nuk do të thonë se po tërhiqemi nga rajoni, ose po i japim fund misionit të NATO-s këtu, sepse një gjë e tillë do të mund të çonte në pasoja edhe më të këqija.

Por, mendoj se mesazhi është i qartë: formoni një qeveri funksionale, veproni sipas sundimit të ligjit dhe procedurave përkatëse, dhe atëherë jemi të gatshëm të rikthejmë një marrëdhënie produktive me ju.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit,

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Uashingtoni dëshiron t’u dërgojë mesazh edhe udhëheqësve të tjerë në rajon, duke ndërmarrë këtë hap?

Charles Kupchan: Mendoj se ka një shqetësim në rajon se Shtetet e Bashkuara nuk janë mjaftueshëm të angazhuara. Ato kanë shumë çështje të tjera urgjente, të tilla si lufta në Ukrainë, lufta në Lindjen e Mesme, përballja me Kinën, me një situatë të tensionuar të brendshme…

Por, është një shenjë pozitive që ka veprime në këtë drejtim, sepse tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë, dhe për të ushtruar presion mbi një partner si Kosova…

Kosova është partnere e Shteteve të Bashkuara. Historikisht, që nga pavarësia, Kosova ka pasur marrëdhënie shumë të forta me SHBA-në.

Mendoj se do të ishte e papërgjegjshme dhe vetëshkatërruese nëse Qeveria në Kosovë vazhdon të ndërmarrë hapa që dëmtojnë marrëdhënien me një vend që ka qenë një mbështetës kaq i fortë.

Radio Evropa e Lirë: Si mendoni se do të reagojë Kurti tani?

Charles Kupchan: Është e vështirë të thuhet. Kurti ka qenë një lojtar i vështirë për Shtetet e Bashkuara që kur ka marrë detyrën.

Në njëfarë mënyre, ai e pëlqen këtë lloj përballjeje, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, dhe kjo mund t’u shërbejë interesave të tij.

Por, unë mendoj se kjo është një strategji afatshkurtër.

Është në interes të Kosovës dhe të Kurtit që të ruajnë një marrëdhënie të fortë me Shtetet e Bashkuara, sepse, në fund të fundit, angazhimi i SHBA-së dhe i Evropës do të jetë thelbësor për të përfunduar procesin e normalizimit me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Disa media në Prishtinë raportuan të premten pasdite se Ambasada e SHBA-së ka thirrur liderët e partive deri më tash opozitare, për të diskutuar formimin e qeverisë. A mund të ndodhë që Uashingtoni po konsideron të mbështesë një qeveri pa Kurtin?

Charles Kupchan: Mendoj se është shumë e vështirë të thuhet. Situata politike brenda Kosovës që nga zgjedhjet e fundit ka qenë jashtëzakonisht e paqëndrueshme.

Fakti që jemi në mes të shtatorit dhe ende nuk është formuar qeveria, tregon për mosfunksionimin që ka kapluar vendin. Ndaj, supozoj se Shtetet e Bashkuara po eksplorojnë çdo mundësi për të tejkaluar këtë bllokadë.

Radio Evropa e Lirë: Por, a mendoni se partitë deri tash në opozitë duhej të ishin treguar më fleksibile gjithashtu, në lidhje me formimin e qeverisë së re?

Charles Kupchan: Konsensusi dhe kompromisi janë thelbi i demokracisë. Nuk dua të fajësoj ndonjë parti të veçantë, por, duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë në rajon, të gjitha partitë duhet të bashkohen për të formuar një qeveri funksionale.

Kjo kërkon kompromis, lëshime dhe negociata me mirëbesim nga të gjitha palët. 

albnews

albnews

Live ALBUK TV

Recent News

Pistat më të pazakonta të aeroporteve në botë

Pistat më të pazakonta të aeroporteve në botë

13 September, 2025
Operacioni “Roja Lindore”, NATO vendos pajisje në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë

Operacioni “Roja Lindore”, NATO vendos pajisje në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë

13 September, 2025
Ekipi i Starmer është ‘futur në bunker’ që nga riorganizimi i kabinetit, thotë deputeti i Partisë Laburiste

Ekipi i Starmer është ‘futur në bunker’ që nga riorganizimi i kabinetit, thotë deputeti i Partisë Laburiste

13 September, 2025
Bashkëshortja e Charlie Kirk u drejtohet “përgjegjësve” për atentatin: Nuk e keni idenë çfarë force të papërmbajtshme keni lëshuar në mbarë botën

Bashkëshortja e Charlie Kirk u drejtohet “përgjegjësve” për atentatin: Nuk e keni idenë çfarë force të papërmbajtshme keni lëshuar në mbarë botën

13 September, 2025
Copyright © 2025 ALB UK News | Powered by ALB UK News
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT
No Result
View All Result