Trajner i Shqipërisë, Sylvinho, ka shpallur listën paraprake me lojtarët që do të grumbullojë për përgatitoret në kuadër të Euro 2024-ës.
Të gjithë këta futbollistë do të vihen në dispozicion të trajnerit për të garuar për një vend në listën zyrtare të 26 futbollistëve që do të shkojnë në Gjermani, e cila do të publikohet zyrtarisht më 7 qershor.
Nga lista paraprake vihen re disa mungesa të rëndësishme sidomos në sulm ku mungojnë Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi dhe Arbër Muja, lojtarë që kanë luajtur pothuajse rregulisht në eliminatore.
Jashtë listës kanë ngelur edhe Keidi Bare dhe Federik Veseli.
Shqipëria do të nisë rrugëtimin në Gjermani 2024 me përballjen ndaj Italisë mbrëmjen e 15 qershorit në “Signal Iduna park” të Dortmundit, ndërsa sfida e dytë do të jetë ndaj Kroacisë më 19 qershor, për të vijuar me Spanjën më 23 qershor.
“Duhet të them që është një krenari që jam trajneri i kombëtares shqiptare që do të shkojë në Euro 2024. Sa më përket mua dhe stafit, do të dëshiroja të falënderoja të gjithë ata që deri këtu kanë bërë një rrugëtim me të gjithë ne. Respekti im për të gjithë ata.
Zgjedhja jonë është bazuar në shumë studim, analizë, karakteristikë, individuale dhe kolektive të çdo lojtari dhe çdo skenari që do të ndeshim në kompeticion.
Është përgjegjësi e trajnerit të zgjedhë lojtarët dhe për fat të keq nuk mund të marr të gjithë. Jam munduar të bëj më të mirën, i kam kushtuar të gjithë sforcot për më të mirën e skuadrës. Luajmë për 3 milion shqiptarë që luajnë këtu dhe më shumë se 10 milionë në të gjithë botën.
Sigurisht puna me një kombëtare është ndryshe nga klubet, patëm 2 miqësore në mars që u dhamë mundësinë disa lojtarëve që nuk iu dhamë më përpara ti provonim.
Në miqësore bëmë disa testime dhe provuam disa lojtarë që donim të provonim. Dera është e hapur në çdo moment, mund të jesh në formë dhe merr ftesën. Nuk kemi shumë kohë për të bërë eksperimente.
E theksoi edhen njëherë që finalet e Europianit janë komplet diçka tjetër ndryshe nga kualifikueset që ke 10 muaj kohë që të luash, por çdo lojtar është në 100%.
Zgjedhja ime është e vështirë por dua t’i falënderoi të gjithë lojtarëve, nuk mundem që të ftoj më shumë lojtarë.
Jam i bindur që grupi i lojtarëve është i qetë, kam qenë vetë futbollist dhe e di se çfarë do të thotë të rrish në stol ose në tribunë, nuk të vjen mirë por duhet të pajtohen me vendimet e trajnerit”, u shpreh pas publikimit të listës paraprake trajneri i Shqipërisë, Sylvinho.