Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano nuk dha sinjale pozitive për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Stano tha sot në një konferencë për media se ato do të hiqen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”.
Ai tha se BE-ja po e vëzhgon situatën në terren dhe masat që Kosova, sipas tij, duhet t’i marrë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para një muaji foli për disa prirje që tha se i kanë disa vende për t’i keqpërdorur masat që blloku i vendosi në fillim të këtij viti, për ta “kushtëzuar atë për çështje plotësisht tjera”.
“Sa i përket masave, ato është dashur të hiqen moti, në fakt nuk është dashur të vendosen kurrë, përkundër mospajtimeve që kanë ekzistuar mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve në BE sa i përket 26 majit”, tha Osmani.