Gjyqtari përgjegjës i VAR-it gjatë finales së Kupës së Botës “Katar 2022”, Tomasz Kwiatkowski ka mbrojtur vendimet kyçe të marra gjatë fitores së Argjentinës kundër Francës të dielën mbrëma.
Shumë në Francë u ankuan për disa nga vendimet e bëra nga gjyqtarët në humbjen e penalltive, me gazetën L’Equipe që argumentoi se goli 3-2 i Lionel Messit në kohën shtesë duhej të ishte anuluar.
Por gjyqtari i VAR-it, Kwiatkowski ka thënë se ekipi i tij kishte disa vendime për të bërë dhe është i kënaqur me mënyrën se si u përballën me presionin.
“Kishte gjashtë gola ku pati disa situata të ngushta në fazën vendimtare të sulmeve”, ka thënë fillimisht Kwiatkowski për RMC Sport.
“Kam pasur tre penallti të cilat janë diktuar shumë mirë nga gjyqtari Szymon Marciniak. Kam pasur dy situata me një karton të kuq të mundshëm dhe një simulim super të vështirë të Marcus Thuram, dhe mos harroni se ndonjëherë një simulim është në ekuilibër me një penallti”.
Ai vazhdoi duke iu kundërpërgjigjur kritikëve.
“Kur je ulur në një karrige të ngrohtë, duke pirë një birrë dhe duke ngrënë patatet e skuqura, gjithçka duket e thjeshtë”.
“Përveç situatave që unë kam përmendur, kam kontrolluar shumë gjëra të vogla për të ndihmuar, për shembull, një tregues të shpejtë të një numri ose një sugjerim të vogël për një vendim”, përfundoi gjyqtari polak.
Kwiatkowski nuk është i vetmi gjyqtar i lojës që flet. Gjyqtari kryesor i finales, Marciniak, i është përgjigjur pretendimeve nga Franca se goli i Messit duhej të anulohej pasi kishte shumë lojtarë të Argjentinës në fushë.
Gjyqtari kryesor vuri në dukje se me këtë logjikë, një nga golat e Mbappes duhej të ishte anuluar.