Mbreti Charles dhe bashkëshortja e tij Camilla do të udhëtojnë muajin e ardhshëm për kurorëzimin e Mbretit me karrocat më të vjetra mbretërore, në një procesion madhështor, por më të shkurtër se ai i nënës se tij 70 vite më parë.
Sipas njoftimit të Buckingham Palace, Charles do të kurorëzohet në Westminster Abbey të Londrës, më 6 maj, në një ceremoni plot pompozitet dhe spektakël, me tradita që datojnë 1000 vjet më parë. Pallati ka publikuar pak nga pak detajet e eventit, i cili pritet të ketë disa ndryshime nga ajo e Mbretëreshës Elizabeth në 1953, duke reflektuar pjesërisht epokën moderne dhe krizën aktuale të kostos së jetesës.
Mbreti dhe gruaja e tij do të nisen nga Pallati Buckingham në Abbey në Diamond Jubilee State Coach, i ndërtuar për të përkujtuar 60-vjetorin e Elizabeth në fron dhe i përdorur për herë të parë në 2014. Brenda karrocës ka mostra objektesh të marra nga ndërtesat dhe pallatet historike, ndërsa në krye qëndron një kurorë e praruar, e gdhendur nga lisi i HMS Victory, një nga anijet kryesore të Marinës Mbretërore të shekullit të XVIII.
Pas shërbimit, çifti do të kthehet në Procesionin e Kurorëzimit, i cili megjithëse për nga madhësia është shumë më i madh se udhëtimi i tyre në Abbey, do të jetë rreth një e treta e rrugës së kryer nga Elizabeth kur miliona njerëz u mblodhën në rrugët e Londrës për të parë.
Për këtë, Charles dhe Camilla do të udhëtojnë me karrocën 260-vjeçare Gold State, e cila është përdorur në çdo kurorëzim që nga William IV në 1831 dhe u përdor për herë të parë nga George III për të udhëtuar në Hapjen Shtetërore të Parlamentit në 1762, kur ai ishte ende mbret i kolonive amerikane të Britanisë.
Ajo është 7 metra e gjatë, 3,6 metra e gjerë dhe peshon katër ton dhe ka nevojë për 8 kuaj për ta tërhequr. Për t’iu përshtatur modernizmit, Pallati njoftoi se një “emoji” i ri ishte zbuluar për të përkuar me eventin, bazuar në Kurorën historike të Shën Eduardit, e cila do të vendoset në kokën e Charles gjatë shërbimit.