25% e prezencës policore në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, do të zhvendosen. Deklarata është bërë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para mbledhjes së qeverisë, ku ndër të tjera ka dhënë dhe detaje për marrëveshjen e de-përshkallëzimit të situatës në veri.
Kurti theksoi se zhvendosja e prezencës policore nga objektet komunale, lidhet me faktin se situata në këto komuna, gjatë dy javëve të fundit, paraqitet më e qetë.
“Qeveria e Kosovës shpall publikisht gatishmërinë e saj për de-eskalimin e situatës. Kjo nënkupton dhe reduktimin e menjëhershëm të ¼ të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale, do zhvendosen diku tjetër në ato komuna, por ku ka më shumë nevojë për ta”, tha Kurti.
Ndërkaq, Kryeministri Kurti theksoi nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.
Kryeministri përsëriti edhe njëherë gatishmërinë e vendit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore.