Me rastin e 75-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e rikonfirmon përkushtimin e saj për të mbrojtur të drejtat e gjithëve pa përjashtim dhe diskriminim. Në një postim në media sociale, Kurti ka thënë se vendi do të vazhdojë promovimin e të drejtave të njeriut.
“Në 75-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Republika e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e saj ndaj Deklaratës, të parashikuar shprehimisht në Kushtetutën tonë. Ne vazhdojmë të punojmë pa u lodhur – sot dhe çdo ditë – për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjithëve, pa përjashtim dhe pa diskriminim. Dita e të Drejtave të Njeriut 2023”, ka shkruar ai.
10 dhjetori është shpallur si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në përkujtim të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.