Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e re do të rishqyrtojë të gjitha vendimet që ish-kryeministri Ramush Haradinaj mori pas dorëheqjes më 19 korrik 2019.
I pyetur për emërimet që kishte bërë Haradinaj në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, sa ishte kryeministër në detyrë, Kurti ka thënë se asnjëri vendim i pasdorëheqjes s’ka statusin e njëjtë me vendimet e para datës 19 korrik.
“Të gjitha vendimet të cilat janë marrë pas datës 19 korrik 2019, nuk mund ta kenë statusin e njëjtë para kësaj date. Po i referohem datës kur ish-kryeministri dha dorëheqje. Qeveria e Kosovës, unë si kryeministër, do të kemi rishqyrtim të gjithë kësaj faze pas dorëheqjes së ish-kryeministrit. Me ç’rast konsiderojmë se për të filluar një kapitull të ri në Kosovë duhet të rrisim përgjegjësinë institucionale e ligjore në njërën anë por edhe politike e morale. Dorëheqja është akt moral dhe nuk besojmë se vendimet e emërimet e mëpastajme kanë statusin e pëlqyeshëm nëse respektojmë shtetndërtimin demokratik e ligjshmërinë në republikën tonë”, ka thënë ai në konferencën e përbashkët me Apostolovan.
Kurti ka thënë se akoma s’janë caktuar zëvendësministrat, ndërsa ka shtuar se aktualisht prioritet në këtë fazë është projektligji për buxhetin.
Se a do të mund të shkarkojë ministrat nga radhët e LDK-së pa pyetur krerët e kësaj partie, Kurti ka thënë se “nuk beson se do të ndodhet para sfidave të tilla”.
“Unë dua që të bashkëpunojmë me subjektet tjera në qeveri, mbi bazat e partneritetit. S’dua të mendoj se si do të kemi ministra që duhet shkarkuar. Në Qeverinë e Republikës së Kosovës s’do të ketë ministra LVV, LDK, LDS e LS. Do të jenë ministra të Qeverisë së Kosovës. Në programin tonë, në marrëveshjen që kemi arritur, me ndryshimin që e ka votuar populli, s’besoj se do të ndodhemi para sfidave të tilla”, ka përfunduar ai.