“The Guardian” i ka kushtuar një shkrim kreut të LVV-së, Albin Kurtit dhe u.d të presidentit, Vjosa Osmanit si dhe koalicionit parazgjedhor që dyshja e ka firmosur para zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Në këtë shkrim të Guardian thuhet se kandidati për kryeministër dhe kandidatja për presidente të Kosovës kanë deklaruar se një aleancë e re politike është mënyra e vetme për luftimin e korrupsionit në vend.
Aty thuhet se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë një koalicion mund të fitojë shumicën.
Në këtë shkrim përmenden sondazhet që janë duke i nxjerrë të parët Kurtin dhe Osmanin si dhe fakti se dyshja vjen nga parti të ndryshme.
Guardian shkruan se Kurti u bë i njohur që nga aktivitetet e tij studentore në fund të viteve të 90-ta kundër regjimit ta Sllobodan Millosheviqit.
Ndërsa, Osmani, u emërua presidente në detyrë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit dhe arrestimit së tij nga Specialja.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë dakorduar në marrëveshjen parazgjedhore që Osmani të emërohet presidente nga Kuvendi i Kosovës.
Osmani thotë se ajo dhe Kurti kanë mësuar se çfarë i duhet vendit të tyre.
“Pengesa më e madhe para nesh është ky mur i madh i krimit dhe korrupsionit ndër vite. Në mënyrë që ta shkatërrojmë ne duhet të bashkojmë forcat. Ne mund të kemi pasur dallime në të kaluarën, por ajo që na ka sjellë së bashku është diçka shumë më e fortë dhe që po lufton armikun kryesor të brendshëm të vendit tonë – kapjen e shtetit. Nuk është se na mungojnë institucionet për të luftuar korrupsionin, por ishte vullneti politik. Sapo politikanët e nivelit të lartë të jenë të korruptuar, ai depërton nëpër sistem”, citohet të ketë thënë Osmani.
Ajo thotë se votuesit s’janë të interesuar për premtime elektorale e ideologji.
Kurti ndërkaq tha se: “Korrupsioni ka qenë i madh, por është shumë i përqendruar në krye, ne besojmë se mund ta mposhtim atë”.
Ai argumenton se mungesa e sundimit të ligjit pengon investitorët.
“Shakaja në Kosovë është pse makiatot janë kaq të mira dhe përgjigjja është sepse ato bëhen nga ata me master në sociologji”. Pranimet nga diaspora arrijnë 1.5 miliardë euro në vit kur buxheti i shtetit është 2.5 miliardë euro.
Të dy kandidatët mirëpresin njohjen nga Izraeli, por duket se janë të gatshëm të dëgjojnë Uashingtonin për çështjen e ambasadës.
Kurti tha “:” Unë nuk mendoj se mund të përballojmë më shumë mosmarrëveshje midis Uashingtonit dhe Brukselit kur bëhet fjalë për Ballkanin. Nëse ka kontradikta, super fuqitë e tjera si Rusia do të përfshihen. “.