Kurti: Ende s’e kemi zgjidhjen për president

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

“Ende nuk e kemi zgjidhjen, por do t’ju njoftojmë së shpejti”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Sipas Kurtit, takimi ishte “në një atmosferë konstruktive”, ndërsa çdo zhvillim i ri tha se do të bëhet i ditur për publikun.

Takimi vjen teksa afati kushtetues për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit po afrohet, dhe pas raundit të parë të bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut, kur nuk u arrit konsensus mes partive.

Pas takimit të parë, Abdixhiku deklaroi se nuk ishte arritur konsensus.

“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, pati thënë ai pas takimit të 2 marsit, duke shtuar se LDK-ja mbetet e hapur për diskutime të mëtejme, por skeptike ndaj idesë që secila parti të shkojë në Kuvend me kandidat të vetin.

Abdixhiku kishte theksuar se për LDK-në gara me disa kandidatë është “procedurë e paraparë për të dështuar” dhe mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Nga ana tjetër, Kurti para takimit të djeshem kishte deklaruar se për zgjedhjen e presidentit “duhet dikush që i siguron 80 vota”, pa përmendur emra konkretë.

Ai ka thënë më herët se Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit, duke theksuar se vendit i duhet një personalitet që, sipas tij, “u bën ballë shtrëngatave” në rrethanat aktuale gjeopolitike. Megjithatë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. Partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për, siç kanë thënë, njëanshmëri në favor të Qeverisë.

Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare./rel

Share This Article