Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka dërguar letër falënderimi homologut kroat, Andrej Plenkoviq, për ndihmën e dhënë ndaj të aksidentuarve në Kroaci.
Përmes një komunikate, Kurti ka deklaruar se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate shpërfaqi vlerat më të larta “dhe shpirtin bujar të popullit kroat.
“Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona. Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë. Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si ju”, thuhet në komunikatë.
Të dielën bëhet një javë që kur ndodhi aksidenti tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, ku 10 bashkatdhetarë humbën jetën dhe mbi 40 u lënduan. Autoritetet kroate dhanë ndihmë të madhe në trajtimin e të lënduarve.