Kryeministri Albin Kurti ka thënë se siguria në Evropë dhe në rajon pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbizotëruan temat e takimeve që kishte gjatë tri ditëve të Forumit Ekonomik në qytetin antik Delphi të Greqisë.
Kurit ka shkruar në Facebook se në Forum janë prezantuar mundësitë e Kosovës për investime, me fokus te burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Ai thotë se në ditën e parë është takuar me kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq me të cilin kanë biseduar mbi mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit, përkundër pengesave politike.
“Me Kryeshefin Ekzekutiv të Copelouzos Group, z. Christos Copelouzos folëm për mundësitë që Kosova ofron për investime, me fokus te burimet e ripërtëritshme të energjisë”, ka shkruar ai.
Kurti thekson se është diskutuar edhe për Fondin Sovran të Kosovës.
“Me Kryeshefin Ekzekutiv të Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë (IFSWF), z. Duncan Bonfield diskutuam për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës dhe mënyrat se si IFSWF mund të na ndihmojë me dijen dhe përvojën e tyre”, thekson Kurti.
Në përmbyllje të Forumit Kurti thotë se ka marrë pjesë në drekën e shtruar nga Kryeministri i Greqisë bashkë me homologët e Ballkanit, ku shpalosë detaje se çka u diskutua.
“Biseduam për situatën në Ukrainë dhe për solidarizimin e mbështetjen për luftën çlirimtare të popullit ukrainas. Theksova që duhet të jemi syhapur karshi lidhjeve të gjera dhe të thella të Federatës Ruse dhe Serbisë dhe rrezikun që paraqesin për destabilizimin e rajonit. Për paqen dhe stabilitetin afatgjatë është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/