Kurti: Formimi i qeverisë së re, menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se formimi i qeverisë së re do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, Kurti tha se synimi është që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, të zgjidhet kryesia e Kuvendit dhe të formohet qeveria e re, duke theksuar se vendimi më i rëndësishëm në fillim do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2026.

Sipas tij, bashkëpunimi me partitë tjera  do të shihet shumë shpejt, siç thotë ai, për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare urgjente.

Kryeministri në detyrë, partia e të cilit mori mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nënvizon se Kosova nuk duhet të vonohet më në përfitimin e rreth 880 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe 90 milionë eurove mbështetje buxhetore nga Banka Botërore. Po ashtu, ai përmendi edhe fondet për çerdhe dhe për sistemin informativ shëndetësor.

Lideri i LVV-së foli edhe për përbërjen e kabinetit të qeverisë së re, për çka thotë se do të ketë konsultime të reja brenda subjektit dhe me partnerët e koalicionit, duke marrë parasysh edhe rezultatin individual të deputetëve.

“Sapo të certifikohen rezultatet nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ne jemi të interesuar që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, me kryesinë e kuvendit, dhe të formohet qeveria e Republikës, ku vendimi më i rëndësishëm qysh në fillim është buxheti për vitin 2026. Janë edhe disa vendime të tjera për mbledhjen e parë, por natyrisht më i rëndësishëm është buxheti”, tha Kurti

Sa i përket bashkëqeverisjes, Kurti thotë se prioritet do t’u jepet partive politike të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, me të cilat ka pasur bashkëpunim edhe në legjislaturat e kaluara, përfshirë edhe subjektin politik të Nenad Rashiq.

“Ne se sa mund të kemi komunikim e bashkëpunim me partitë e tjera, duhet ta shohim shumë shpejt, sepse duhet t’i votojmë këto marrëveshje ndërkombëtare. Pra është shumë e rëndësishme që mos të vonohemi më për 880 milionë euro të planit të rritjes së Bashkimit Evropian, ku dy të tretat, përafërsisht, janë kredi, ndërkaq një e treta janë grante. Ndërkaq në anën tjetër, gjithashtu i kemi edhe 90 milionë euro prej Bankës Botërore mbështetje për buxhetin. I kemi edhe 20 milionë euro të tjera për çerdhet për fëmijë, dhe 20 milionë euro të tjera për sistemin informativ shëndetësor. Pra, shumë shpejt do ta shohim ne se a do të mund të bashkëpunojmë me opozitën sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkaq, sa i përket qeverisë, nuk do të ketë kurrfarë problemi për formimin e shpejtë të qeverisë. Aktualisht vonesat janë derisa të bëhet numërimi i plotë i votave dhe certifikimi i rezultatit”, theksoi Kurti për KosovaPress.

Duke folur për kabinetin qeveritar, Kurti thotë se nuk priten ndryshime të mëdha, porse nënvizon se do të ketë konsultime të reja brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe me partnerët e koalicionit.

Kurti u ndal edhe për rritjen ekonomike, të cilën e ka përmendur edhe gjatë fushatës, raportet me ShBA-në, arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro, për çështje të sigurisë e të tjera./ KosovaPress

Share This Article