Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zbuluar një bisedë mes tij dhe Richard Grenell, emisar special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Kurti ka thënë se në takimin e tij me Grenell, para se të formohet qeveria e tij, ai i ka thënë se nuk është për dialog, por për aksion të shpejtë.
Kurti ka theksuar se pas kësaj fjalie të Grenell, kanë filluar të qeshen.
“I thash që duhet të përgatitemi mirë për dialog. Më tha unë s’jam për dialog, jam për aksion. Qeshëm me atë që e tha, pasi që unë isha kritik për 15 vjet për mënyrë si dialogohej me Serbinë dhe në momentin kur isha përgatitur për dialog, ata e lanë dialogun. Dëshironin aksion, e jo më dialog”, ka thënë Kurti në Jeta në Kosovë.
Kujtojmë se qeveria e kryeminsitrit në detyrë u rrëzua përmes mocionit të votëbesimit, të cilin e inicoi partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.
E mocioni u inicua për shkak se kryeministri Kurti shkarkoi ish-ministrin, Agim Veliun, me arsyetimin se ky i fundit u deklarua pro gjendjes së jashtëzakonshme. Opinion ky me të cilin nuk pajtohej Kurti.
Gjendja e jashtëzakonshme u propozua nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për shkak të pandemisë që ka kapluar Kosovën.
Ministri Quni, bëri edhe një përpjekje të fundit përmes një fjalimi në Kuvend, për ta shpëtuar qeverinë që të mos rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit. Nuk ia doli.
Deri më tani në Kosovë janë infektuar me koronavirus gjithsej 126 persona, janë shëruar 10 dhe një ka vdekur.