Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell i cili reagoi i shqetësuar në lidhje me situatën në veri, ndërsa dënoi arrestimet e serbëve dhe stërvitjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut.
Në një postim në Twitter, Kurti thekson se stërvitja ishte një aktivitet rutinë i planifikuar, për të cilin ishte informuar edhe KFOR.
Lidhur me arrestimin e një qytetari serb, si i dyshuar për sulmin ndaj forcave të KFOR, Kurti shkruan se si kryeministër, ai nuk përfshihet në hetime e aq më pak në arrestime.
Sipas Kurtit, pretendimet e Borrell janë të ngritura mbi pretendime të rreme që, siç shkruan ai, mund të kontribuojnë në tensionimin e mëtejshëm të situatës.
“Stërvitjet e sotme nga Regjimenti III i KSF Kosova në Mitrovicën e Jugut janë një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në Mitrovicë për sulm ndaj ushtarëve të KFOR në Zveçan më 29 maj. Si kryeministër i një shteti demokratik nuk kam asnjë përfshirje në krim, hetimet dhe arrestimet. Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”, shkruan Kurti.
Policia e Kosovës njoftoi këtë të premte (23 qershor) se ka vënë në pranga një të serb, të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj