Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur “gur në rrugë” ngërçin në negociatat mes partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë.
Gjatë pritjes solemne në Ipeshkvinë e Kosovës me rastin e festës së Krishtlindjes, Kurti në një deklaratë për gazetarët ka thënë se me LDK-në janë kah fundi i negociatave.
Edhe pse seanca për konstituimin e Legjislaturës VII do të mbahet të enjten, VV-ja e LDK-ja akoma s’kanë arritur marrëveshje. Kërkesa e LDK-së që të marrë postin e presidentit ka ndikuar që të bllokohen negociatat.
“Në këtë rrugën e këtyre bisedimeve me partnerin tonë qeverisës ne jemi kah fundi. Kemi një gur në rrugë. S’është as shkëmb, as guralec, por me urimet më të mira të Don Lush Gjergjit e me lutjet e të gjithëve e punën e përbashkët besoj se do t’ia dalim me sukses. Kur t’i kemi rezultatet konkrete do t’i bëjmë menjëherë të njohura ato. Përderisa vazhdojnë negociatat t’ia lëmë këtij procesi ta ketë rrjedhën me shpresën e dëshirën që të mbyllet në mënyrë sa më të mirë të mundshme. Kontaktet, komunikimet, takimet s’janë ndalur e vazhdojnë. Edhe sot kemi kontaktuar, edhe dje e pardje, s’do të ndalemi, por takimet s’janë lajm. Lajm do të jetë rezultati që e presim me shumë dëshirë ne, më shumë se ju”, është shprehur Kurti.