Kurti: Kosova sot ka dy armiq, Serbinë nga jashtë dhe korrupsionin nga brenda

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Me moton kundër “PANhajnisë, zgjedhje të reja”, Vetëvendosje ka mbajtur tubim me qytetarë në Prishtinë. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti deklaroi se Kosova i ka dy armiq, Serbinë nga jashtë dhe korrupsionin nga brenda.

“Kosova sot ka dy armiq, Serbinë nga jashtë dhe korrupsionin nga brenda. Kriminelët e luftës dhe kriminelët e paqes, ende pa u çliruar shteti mirë këta e kanë kapur përbrenda plotësisht. Kjo qeveri ka vendime për asfalt, por jo edhe vizion për zhvillimin e vendi”, tha Kurti,

Kurti ka akuzuar qeverisjen aktuale se sa herë që nis vala e protestave, ndërmerr veprime patriotike sikur ajo e shkarkimit të ministrit serb të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, ndërsa pati edhe disa porosi për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ai në një tubim me qytetarët në Prishtinë tregoi arsyet e shkarkimit me vonesë të ministrit të Listës Serbe për deklaratën e bërë më 24 mars për masakrën e Reçakut.

“E patë dje si u shkarkua ministri i Listës Serbe Teodosijeviq për një deklaratë, të cilën ai e ka dhënë më 24 mars. Të gjithë e kemi parë deklaratën më 24 mars, mirëpo shkarkimi i tij ka ndodhur vetëm dje. Sa herë ngritet vala popullore kundër hajnisë dhe korrupsionit të tyre, këta e bëjnë një gjest patriotik”, ka thënë ai.

Kurti nuk ka hezituar të ironizojë me kryeministrin Haradinaj, duke e porositur që të bëhet ministër i sporteve të rënda për shkak të demarkacionit me Malin e Zi.

“Kryeministri aktual thoshte se do të merrej me punët e shtëpisë. Ai ia punoi shtëpisë duke e vjedhur shtetin… Thoshte se merrej me sporte të rënda dhe ia dha 8200 hektarë të shtetit tonë për karrigen e vet të pushtetit. Ka mbetur edhe MKRS-në ta ndajë në tri ministri, të Kulturës, Rinisë dhe Sportit e pastaj Ministrinë e Sportit ta ndajë në ministrinë e sporteve të rënda dhe të lehta e aty të bëhet vetë ministër i sporteve të rënda”, tha Kurti.

Sipas tij zgjidhja e vetme për të dalë nga gjendja aktuale është largimi i qeverisjes aktuale dhe shkuarje në zgjedhje të reja.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka nisur fushatën ‘Kundër PanHajnisë’ në të gjitha qytetet e Kosovës, duke mbajtur tubime me qytetarët për të diskutuar lidhur me temat që preokupojnë, si dhe gjetjen e zgjidhjes së këtyre problemeve.

Share This Article