Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Bruksel, para takimit të sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti thotë se përgatitja për këtë takim ka qenë komplekse por edhe e lehtë.
“Mbërrita në Bruksel dhe kalova ditën duke u përgatitur për takimin e nesërm. Përgatitja për negociata është komplekse por edhe e lehtë: komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e lehtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, njoftoi Kurti në “Twitter”.
Ndryshe, të martën kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen në Bruksel në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.
Bashkimi Evropian tha se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Projekt statuti thuhet të jetë hartuar nga një ekip menaxhues i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, në mesin e të cilëve një deputete në parlamentin e Serbisë./