Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur shqetësime të forta për sigurinë rajonale gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Londrës për Mbrojtje, duke akuzuar Serbinë si një “proxy” të Rusisë.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se nuk ka vend për relaksim në situatën aktuale të sigurisë, duke bërë të ditur se përgjatë kufirit me Kosovën ndodhen 48 baza të përparme operacionale serbe, në atë që konsiderohet si zonë e sigurisë së NATO-s.
“Nuk ka arsye për shumë relaksim, si të thuash, sepse Serbia është një ‘proxy’ i Rusisë dhe atje janë 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit të shtetit tim. Të gjitha janë në atë që quhet zonë e sigurisë e NATO-s. Kremlini ka një zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, në Beograd dhe Qendrat Rajonale të Russia Today dhe Sputnik për Ballkan janë në Serbi”, tha Kurti.
“Mendoj që nëse Bashkimi Evropian arrin të menaxhojë beteja të caktuara në këtë dekadë, dekada e ardhshme lehtë mund të jetë dekada e BE-së. Këtu jam shumë optimist që të dyja NATO-ja, veçmas Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, mund të luajnë një rol të madh”, shtoi ai.
“Ajo çfarë bëj në vendin tim, Republikën e Kosovës, është angazhimi me të rinjtë. Është shumë e rëndësishme që të angazhohemi me të rinjtë, sepse po e humbasim kontaktin. Hapësira ndërmjet gjeneratave është problematike dhe lufta hibride mund të jetë fatale”, u shpreh kryeministri.

