Kurti nga Londra: Britania partner kyç strategjik, synojmë thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

albnews
By
4 Min Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në vizitën zyrtare në Londër ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë britanikë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.

Ai ka njoftuar se në fillim të vizitës është takuar me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Në këtë takim, Kurti thotë se ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e shumanshme dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe përkushtim për sigurinë dhe prosperitetin.

‘E cilësova Mbretërinë e Bashkuar si partner kyç strategjik dhe ritheksova angazhimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh”, ka shkruar ndër të tjera Kurti, shkruan Reporteri.net.

Postimi i tij: 

Vizitën zyrtare në Londër e fillova me një takim me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, vizita e dytë në gjashtë muajt e fundit.

Në këtë takim, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e shumanshme dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe përkushtim për sigurinë dhe prosperitetin.

E cilësova Mbretërinë e Bashkuar si partner kyç strategjik dhe ritheksova angazhimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh. U takova gjithashtu me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, të cilën e falënderova për mbështetjen e konsiderueshme financiare për zhvillimin e Kosovës.

Diskutuam vazhdimin e mbështetjes për sektorin privat në rritje dhe për projektet e infrastrukturës publike, si energjia, uji dhe transporti publik. Vizita vijoi me pjesëmarrjen në një panel të organizuar nga think tank-u ODI Global, ku, së bashku me drejtoreshën ekzekutive Sara Pantuliano dhe Dora Meredith, si dhe me analistin e mirënjohur ekonomik Martin Wolf nga Financial Times, diskutuam mbi shtetndërtimin ekonomik dhe stabilitetin global.

Në mbrëmje, mora pjesë në një darkë të shtruar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Coaker, në Naval and Military Club, ku diskutuam bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe çështje më të gjera të sigurisë.

Në ditën e dytë të vizitës, pata kënaqësinë të jem pjesë e panelit hapës në London Defence Conference, në edicionin e saj të katërt, përkrah të Dërguarës së Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, kongresistit republikan nga Karolina e Veriut Pat Harrigan, Shefit të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Holandës, Gjeneralit Onno Eichelsheim, si dhe Profesorit Julian Lindley-French.

Diskutimi u përqendrua në kuptimin e mbrojtjes dhe të gatishmërise në një kohë të krizave të shumta globale. Pas panelit, zhvillova një intervistë me drejtorin e konferencës, Iain Martin, ku biseda u përqendrua më në detaje për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e sigurisë dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe Rusia, në kuadër të një podcast-i të ardhshëm. Vizita u përmbyll me një darkë me historianin dhe akademikun e njohur Sir Noel Malcolm nga Universiteti i Oksfordit, zëri mëi rëndësishëm ndërkombëtarë për historinë e Kosovës.

Share This Article