Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi këtë të premte se ai nuk është ftuar në takimin që do të organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, ku në fokus të diskutimeve do të jetë Asosacioni i komunave me shumicë serbe.
Përmes një interviste të dhënë për REL, Kurti theksoi se ky takim do të zhvillohet në ambasadë me kërkesë të të Dërguarit të Posaçëm të DASH për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Nga ky i fundit, Kurti tha se pret të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të kërkojë në Prishtinë që Asociacioni të bëhet.
Radio Evropa e Lirë: Më 31 janar Ambasada amerikane në Kosovë do të organizojë takim ku do të diskutohet për Asociacionin. A do të merrni pjesë në këtë takim?
Albin Kurti: Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.
Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.
Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, Kosovës dhe Serbisë u është propozuar ai që tani po quhet plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, i mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A e pranoni ju këtë plan?
Albin Kurti: Qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, unë kam thënë se propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është platformë e kornizë e përshtatshme për të ecur përpara.
Andaj, kam qenë përherë konstruktiv në qasjen ndaj këtij propozimi, i cili e ka gjuhën e koncepteve dhe nocioneve – le të themi – universale, sikurse pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, pastaj demokracia, sundimi i ligjit, vetëvendosja. Pra, gjëra që i kemi afirmuar gjithmonë si Republikë e Kosovës dhe si popull – ndër vite e dekada.