Kryeministri Albin Kurti ka folur për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, duke dhënë në një farë mënyrë edhe vizionin e tij për atë që duhet të ketë dokumenti në fjalë.
Edhe pse nuk reagoi drejtpërdrejtë ndaj deklaratave të bëra paraditen e të enjtes nga Edi Rama, Kurti tha se marrëveshja do të arrihet nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij.
“Unë këtë mund të thelloj (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendët që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, është shprehur Kurti në Kuvend.
Kryeministri Rama tha se draftin e tij për Asociacionin – një dokument konfidencial për momentin – të realizuar me ekspertë të huaj, përfshi edhe amerikanë, ia kishte dërguar liderëve të Gjermanisë dhe Francës, por nuk e kishte konsultuar me Kurtin për dokumentin.
Deklarata e Ramës ngjalli reagime në Shqipëri dhe Kosovë. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se teksti ishte shkruar në Beograd, ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, mbështeti qëndrimin e Ramës për këtë çështje.