Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, duke thënë se padrejtësia ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta, mori fund sot.
Kurti ka thënë se Kuvendi i Republikës miratoi në lexim të parë dhe të dytë Ligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti përmes së cilës shtohet një skemë e re pensionale, ajo e pensionit parcial kontributpagues.
“Rreth 70 mijë pensionistë të cilët po të mos ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta do të arrinin kushtin prej 15 vitesh kontribut deri më 01.01.1999. Tani e tutje, ata, do të marrin pensionin parcial kontributpagues”, ka shkruar Kurti, në një postim në Facebook.
“Mbetemi të përkushtuar për krijimin e një sistemi pensional të barabartë për të gjithë dhe ngritje të mirëqenies sociale. Hapi tjetër do të jetë reforma e plotë pensionale së bashku me reformën sociale, për të cilat kemi filluar punën. Shumë shpejt do t’i dërgojmë në Kuvend këto projektligje për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore”, ka shkruar Kurti.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten vonë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili do t’ua njohë mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.
Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e 27 korrikut.
Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit.
Më herët gjatë ditës, Kuvendi e miratoi në lexim të parë këtë projektligjin, me të cilin është krijuar edhe një skemë e re e quajtur “skema e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.”
Në këtë skemë janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe si pasojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.