Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është vaksinuar i pari në vend me vaksinën Anti-COVID të AstraZenecas.
Në prani të ekipit mjekësor dhe mediave, Kurti ka marrë vaksinën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
.
Kurti është shprehur se nuk ka dashur ta shfrytëzojë privilegjin si kryeministër për tu vaksinuar i pari, por për t’i inkurajuar të tjerët.
“Si kryeministër nuk jam këtu që ta shfrytëzojë privilegjin që të vaksinohem por të inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen meqenëse mbrëmë ka ardhur kontingjenti i parë i vaksinave, do të kemi edhe vaksina tjera dhe do të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejtë dhe sa më shumë qytetarë të vaksinojmë. Me shembullin tim dua t’i inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen dhe të heqin dilemat. Vaksinimi është i nevojshëm, po përballemi me një pandemi të vështirë dhe zgjidhja përfundimtare është vaksinimi i popullsisë ”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se do të vazhdohet me vaksinimin e personelit shëndetësorë, me të moshuarit e pastaj qytetarët tjerë.
Ndërsa, sot pritet të vaksinohet edhe një pjesë e stafit shëndetësorë në Klinikën Infektive.
Vaksinimi do të vazhdoj edhe nesër në Klinikën Infektive dhe në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Ndërsa, në komunat tjera, qytetarët pritet të vaksinohen gjatë të enjtes dhe të premtes.
Në fazën e parë, sipas planit të vaksinimit do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).
Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Faza e dytë përfshinë grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.
Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.