Kurti për The Guardian: Deklarata e Blinkenit ishte e padrejtë, e gabuar dhe shumë naive

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur sot për të përditshmen britanike The Guardian, ka thënë se dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë”.

I pari i qeverisë së Kosovës ka komentuar edhe mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ky i fundit ka qortuar autoritetet e Kosovës, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe se “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.

Kurti shprehu pakënaqësitë për këtë deklaratë, duke e cilësuar atë “zbutje” të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive”, tha Kurti përmes telefonit për theguardian.

“Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por përfundimisht nuk ishte e dobishme”, deklaroi ai.

Që atëherë, Kurti tha se kishte folur me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se Escobar kishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose t’i bënin ata të punojnë nga shtëpia, një kërkesë që ai e kishte refuzuar.

 “Nuk mund të kemi kryetar komunash Zoom (platformë e video-thirrjeve online), ne jemi republikë demokratike”, tha Kurti. “Një republikë demokratike nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, shtoi ai.

Share This Article