Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndodhet për vizitë në Shtetet e Bashkuara gjatë së cilës deri tani ka zhvilluar takime me biznese amerikane kryesisht të fushës së teknologjisë informatike në Silicon Valley pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara dhe që prej dy ditësh ndodhet në Uashington, ku është takuar me ligjvënës të ndryshëm nga të dy partitë si dhe me këshilltarin e presidentit Biden për sigurinë kombëtare, Jack Sulivan.
Por cili është synimi i kësaj vizite të gjatë, cilat janë pritshmëritë e tij nga kjo dhe si është situata në Kosovë. Për të gjitha këto me kryeministrin Kurti bisedoi shefi i shërbimit shqiptar të Zërit te Amerikës, Arben Xhixho.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër kjo është ndër vizitat më të gjata të një kryeministri të Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe ajo që ka rënë në sy është takime të shumta me bizneset kryesisht të lëmit të informatikës që ju keni zhvilluar. Publiku tashmë është njohur me emrin e shumë kompanive që ju keni takuar dhe pa kaluar në listën e tyre. Cilat janë pritshmëritë pas takimeve me këta drejtues, a ka një premtim konkret për në Kosovë?
Albin Kurti: Në fund të muajit të kaluar isha vetëm dy ditë në Uashington, D.C. me rastin e funeralit të zonjës sekretare Madeleine Albright, së cilës i kemi shumë borxh si shtet i Kosovës dhe komb shqiptar, sepse ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së (Slobodan) Millosheviçit para 23 vjetësh, mban vulën dhe nënshkrimin e saj. Dhe pas një jave erdha sërish në Uashington D.C. Po i fillojmë negociatat për marrëveshje me MCC-në (Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit) për programin e Kompaktit që është 236 milionë dollarë dhe përfshinë trajnime të profesionistëve për çështjen e sektorit të energjisë dhe sidomos të grave aty dhe në anën tjetër gjithashtu bateritë akumuluese. Nga Uashington D.C. fluturova në San Francisko, ishte hera parë që shkova në bregun perëndimor në Silicon Valley ku u takuam me shumë ndërmarrës të cilëve ua shpjeguam që Kosova është vend i përshtatshëm për investime meqenëse ka qeverisje demokratike, është e para sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, sa i përket korrupsionit ka lëvizur lart për të mirë në 17 vende sipas Transparency International, ndërkaq sipas Reporterëve pa Kufij po ashtu 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave. Kemi bërë Gjykatën Komerciale në Kosovë dhe gjithashtu rritja ekonomike impresive dyshifrore në Kosovë ishte ftesë e jona, jo që bizneset të vijnë dhe të sakrifikohen në Kosovë, por që të vijnë dhe të fitojnë aty.
Zëri i Amerikës: Ju jeni një vend i vogël dhe për të tërhequr investimet duhet të jeni një vend tërheqës për ta. Kosova po ashtu nuk ka një traditë të madhe, çfarë u ofroni ju bizneseve që vendet tjera të rajonit nuk mund ta ofrojnë?
Albin Kurti: Në Kosovë janë 650 kompani vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit, 10 për qind prej tyre janë me pronësi të huaj, 21 për qind janë me pronësi të përzier dhe 70 për qind prej tyre eksportojnë, 60 për qind e produkteve që bëhen janë për eksport. Pra Kosova ka indikatorët që të shndërrohet në një lloj Estonie të Evropës Juglindore, kemi moshën mesatare 30 vjeç, dy të tretat e popullsisë nën 35 vjeç, që të gjithë dinë anglisht dhe një pjesë e mirë edhe gjermanisht, ka talent që do çliruar dhe sikurse biznesmenët amerikanë po ashtu edhe ata shqiptaro-amerikanë i kemi ftuar që të vijnë dhe të fitojnë në Kosovë e në të njëjtën kohë edhe ne të kemi një zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik.