“Kurrë më nuk do të ketë ushtarë apo policë të Serbisë në republikën e Kosovës”. Është kjo garancia e qartë e dhënë nga vetë presidentja, Vjosa Osmani, që i kundërpërgjigjet kërcënimit të zyrtarëve të Beogradit për dërgimin e 1 mijë forcave të tyre të sigurisë në veri të Kosovës.
“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, deklaroi presidentja Osmani.
Presidentja e Kosovës shtoi më tej se autorët e plagosjes së policit në Zveçan dhe sulmeve ndaj gazetarëve duhet të sillen urgjentisht para drejtësisë. Kryeministri Albin Kurti, vizitoi në spital efektivin, Ekrem Neziri, që u plagos gjatë shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri në veri.
“Vullnetin e kishte të fortë, kurse shëndetin e mirë. Me të këtillë zyrtarë mbahet shteti. Kriminelët do të ndiqen e dënohen”, u shpreh kryeministri Kurti.
Policia e Kosovës njoftoi se situata në veri është e qëndrueshme dhe e menaxhueshme, por konfirmon se ka grupe që kryejnë vepra kriminale, me qëllim për të frikësuar banorët. Kjo pasiguri e krijuar nga vetë serbët në Kosovë, po përdoret nga Beogradi që kërkon të justifikojë dërgimin e ushtarëve të tyre duke përdorur në mënyrë të gabuar rezolutën 12 44.
“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar dhe e kam patur shumë të vështirë për të fjetur mbrëmë. Albin Kurti na solli të gjithëve, serbët dhe shqiptarët, në prag të luftës”, tha kryeministrja serbe.
Pa gjumë ka qëndruar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili përmes rrjeteve sociale njoftoi se ka qëndruar gjithë natën me Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë. Një përgjigje dhe vendim për situatën paralajmëroi se do ta njoftojë pasditën e së shtunës.