Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.
“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë”, tha Kurti.
“Për herë të parë do të mbështesim me shumë të menjëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës. Po ashtu, kjo shumë do të ndahet edhe për 80 mijë zyrtarët publik”, ka shtuar ai.