Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti në një prezantim para disa studentëve ndërkombëtarë ka folur për situatën politike në vend.
Ai i ka njoftuar edhe për arsyet e vonesës së formimit të qeverisë, duke mos i bërë publike ato.
Sipas një njoftimi, ai paraqiti para studentëve programin zhvillimor të Lëvizjes që në qendër ka krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtetndërtimin demokratik ku ka sundim të ligjit.
“Prioritet i qeverisë së re se do të jetë forcimi i shtetit dhe zvogëlimi i pushtetit”, theksoi ai në fjalën e tij.
Sipas VV-së, të pranishëm ishin 120 studentë nga Universiteti i Vjenës dhe ai i Venedikut.
“Pas prezantimit të shkurtër, studentët parashtruan pyetjet që zgjeruan diskutimin mbi pikat programore të Lëvizjes Vetëvendosje që lidhen me ekonominë dhe investimet, drejtësinë dhe procesin e vetingut si dhe edukimin dhe sistemin dual të arsimit. Studentët mes tjerash u interesuan edhe për qëndrimet e Lëvizjes për çështje të caktuara ndër vite, për hapat konkret të Lëvizjes si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme, si dhe për marrëdhëniet dhe politikat që bashkojnë komunitetet e ndryshme në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.