Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sërish Albin Kurtin për një tjetër mandat në krye të Qeverisë së Kosovës.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë i Kosovës, është propozuar me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur këtë të diel (7 shtator).
Ky vendin i LVV vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një masë të përkohshme, përmes së cilës u ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të fundit nga komuniteti serb. Sipas këtij vendimi, përpjekjet e mëtejshme për konstituimin e Parlamentit po ashtu duhen ndalur plotësisht deri në datën 30 shtator.
Gjatë fjalës së tij para Këshillit të Përgjithshëm të LVV, Kurti ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vendimet që ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj LVV. Meqë tani u zgjodh kryetari i kuvendit dhe 4 nënkryetarë, gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe, paarsyeshëm besoj unë, dhe kërkoi që 120 deputetë të republikës, merreni me mend, të vegjetojnë deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot. Kjo është ngjashëm sikur ministri ynë i shëndetësisë Arbër Vitija të lëshojë një vendim mjekësor që ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë nëse është më shumë absurd apo më shumë e dëmshme kjo masë 25 ditore. Por që është edhe shumë absurde edhe shumë e dëmshme nuk kam dyshime”, tha Kurti.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, LVV ka fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por të pamjaftueshme për të formuar Qeverinë e vetme.
Seanca konstituive është nisur nga deputetët e KUvendit të Kosovës që prej 15 prillit, por ende mbetet peng e mosdakordësive mes partive politike. Fillimisht ngërç ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, ndërsa tashmë për zgjedhjen e nënkryetarit nga radha e partisë Lista Serbe.