Albin Kurti ka thënë se elita politike në Beograd nuk ka hequr dorë nga projekti i Serbisë së Madhe, duke shtuar se Vuçiç po mashtron Perëndimin.
“Vuçiç thjesht po mashtron Perëndimin. Elita që dominon vendin nuk ka hequr dorë kurrë nga projekti i Serbisë së Madhe. Thjesht quhet diçka ndryshe tani, quhet “Bota Serbe’”. Kjo do të thotë bashkim i të gjithë serbëve në një vend. Kjo do të nënkuptonte shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës”, deklaroi kryeministri i Kosovës për gazetën zvicerane “NNZ”.
Kurti shtoi se qëllimi i Serbisë është hakmarrja dhe Kosova duhet të jetë e përgatitur.
“Thjesht duhet të dëgjoni me kujdes se çfarë po thotë Vuçiç. Për shembull, kur bëhet fjalë për Kaukazin e Jugut, në vitin 2023 Presidenti serb vlerësoi veprimet e Azerbajxhanit për “kthimin në shtëpi” të Nagorno-Karabakut. Zona shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë në 1991. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, më pas mori kohën e tij.
Ai u përqendrua në zhvillimin e ekonomisë dhe riarmatosi sistematikisht ushtrinë. Vetëm kur situata gjeopolitike e lejoi ai goditi dhe rifitoi zonën. Durimi, sipas Vuçiçit, shpërblehet. Kjo është pikërisht ajo që Vuçiç dëshiron të bëjë me Kosovën. Ushtron edhe durim strategjik, por synimi mbetet hakmarrja. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, theksoi Kurti.