Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë detaje se kur do të bëhet betimi i kryetarëve të tri komunave në veri të vendit, por ka thënë se “kjo gjë do të sqarohet javën e ardhshme”.
Në një deklarim për media të shtunën në sheshin e Prishtinës, Kurti ka thënë se duhet të pritet edhe disa ditë që të shihet nëse ndonjë parti serbe do të bëhet pjesë e qeverisjeve komunale. Sipas tij, duhet të pritet deri të hënën për këtë çështje, duke shtuar se në atë pjesë të vendit synojnë të ketë gjendje normale e jo dhunë dhe forcë.
“Unë u kam thënë të gjithë kryetarëve që kanë fituar në komunat në veri që funksioni i tyre nuk duhet të jetë me pompozitet, por me përkushtim për të gjithë pa dallim. Kryetari Erden Atiq në veri të Mitrovicës nuk është kryetar i shqiptarëve apo vetëm i Vetëvendosjes, ai edhe në kabinetin e vet do t’i ketë të gjitha komunitetet, të gjitha religjionet dhe te gjitha subjektet. Unë besoj që gjërat do të shkojnë mirë, ata kanë nevojë për mbështetje. Shpresoj që kjo të vazhdohet edhe me tri komunat e tjera. Duam kushtetutshmëri dhe ligjshmërinë, por edhe me faktorët ndërkombëtarë duam që ta ruajmë edhe paqen dhe sigurinë, do të bëjmë më të mirën e mundshme në ditët në vijim”, ka deklaruar kryeministri.
“Drejtoritë në katër komuna nuk bënë të jenë as të vetëm një partie as të vetëm një etnie. Katër kryetarët e kanë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, veçanërisht të ministrit Elbert Krasniqi dhe besoj se do të arrijmë që sado pak ta përmirësojmë gjendjen”.
“Të presim edhe pak ditë, edhe nëse nuk do të ketë përgjigje nga zyrtarët e një partie politike atje, do të mund të kenë nga serbët që duan të bëhen zyrtarë. Unë e di që ata nuk janë përgjigjur ende, por ta presim të hënën dhe jemi me shpresë që mund të ndryshojë diçka për të mirë, edhe nëse nuk e kemi legjitimitetin e plotë edhe nëse nuk e kemi gjendjen normale ne duhet ta synojmë këtë, jo me forcë e dhunë, por me dashamirësi dhe me politikën që është në shërbim për të gjithë pa dallim”.
Sipas kreut të ekzekutivit, nuk mund të kemi objekte të blinduara, pasi ato duhet të jenë të të gjithë qytetarëve, “mirëpo kur e si do të ndodh normalizimi edhe ceremonial edhe funksional, kryetarët e zgjedhur do të koordinohen ngushtë më ministrin Elbert Krasniqi”.
“Në javën e ardhshme sqarohet kjo gjë”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ndryshe, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje është betuar të premten si kryetar i Mitrovicës së veriut, komunë e banuar me shumicë serbe. Ai është njëri nga katër kryetarët e zgjedhur në veri të Kosovës në zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga serbët. Tre kryetarët e tjerë nuk dihet kur dhe si do të nisin detyrën. /