Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se është i gatshëm për shtensionim të situatës dhe zgjedhjeve të reja në veri të vendit por jo siç tha në kurriz të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në qytetin e Podujevës, rreth 40 kilometra në veri të Prishtinës, ku tha se është i hapur për të caktuar sa më shpejt datën e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, por sipas tij ato duhet të zhvillohen pa kërcënime.
“Unë ju kam thënë edhe evropianëve edhe amerikanëve ejani të punojmë bashkë që fushata të jetë e hapur dhe fer që kur t’i bëjmë zgjedhjet e reja të parakohshme të mos kemi dështime në fushatë dhe të kemi pjesëmarrje të madhe në zgjedhje”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se institucionet e sigurisë deri më tash kanë identifikuar 45 persona në veri që sipas tij kanë marrë pjesë në sulme dhe dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
“De-eskalimi nënkupton sundim të ligjit që i zbrapsë këta kriminelë duke i detyruar të përballen me drejtësi ose edhe të shkojnë në Serbi”, tha ai.
Policia e Kosovës deri më sot ka arrestuar disa persona në veri të Mitrovicës, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të KFOR-it me 29 maj, me ç’rast të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse mbetën të plagosur.
Por këto arrestime kanë nxitur reagime dhe protesta të serbëve të Kosovës të cilët kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve.
Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që mbështetët nga Beogradi i kërkoi të hënën institucioneve të Serbisë që të shpallë njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë bashkëpunëtorët e këtyre strukturave si organizata terroriste me arsyetimin se kërcënojnë paqen në veri.
Sipas Listës Serbe ky vendim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë, “do të parandalonte verpimtaritë e mëtejshme të paligjshme të këtyre organizatave dhe bashkëpunëtorëve të tyre duke rrezikuar paqen dhe do të krijonte bazën ligjore që të gjitha autoritetet shtetërore të veprojnë kundër këtyre organizatave dhe t’i sjellë ato para drejtësisë.
Kjo kërkesë vjen disa ditë pasi qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy grupe që, sipas institucioneve të sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, me banorë kryesisht të pakicës serbe.
Vendimi u mor në një kohë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat filluan në fund të muajit maj kur autoritetet nisën zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.
I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të qëndrojë gjatë kësaj jave në Prishtinë e Beograd në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës, e cila ka shtyrë Bashkimi Evropian të vendosë masa ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës. /VOA/