Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Sekretaren britanike për Punë të Jashtme, Liz Truss.
Truss në një postim në “Twitter”, ka cekur disa prej temave që kanë diskutuar me kryeministrin Kurti.
“Ne diskutuam për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, veprimet galvanizues kundër pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia, sfidat e ndikimit malinj në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Truss.
Kryeministri Albin Kurti sot është pritur në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim palët kanë diskutuar për fushën e mbrojtjes, ku Britania e Madhe është falënderuar për ndihmën që i ka dhënë institucioneve mbrojtëse të Kosovës.
Kurti ka udhëtuar të hënën për në Mbretërinë e Bashkuar.
Muajve të fundit, Kurti ka zhvilluar vizitë disa javore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e më pas disa ditë në Zvicër.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ambasadori në Londër, Ilir Kapiti, u pritën në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, ndërsa u diskutua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë.
Kryeministri ju falënderua ministrit Heappey për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat: të çlirimit, të rindërtimit, të pavarësimit, të zhvillimit e të demokratizimit.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se në takim u bisedua për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të bashkëpunimit.
Posaçërisht u diskutua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë dhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e institucioneve profesionale të mbrojtjes, sidomos të akademisë së mbrojtjes Sandhurst për shkollim të karrierës e specialistik.
Në njoftim më tej thuhet se kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë ngritur e kanë arritur rezultate të larta dhe FSK-ja ka marrë pjesë tri herë në garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe, duke fituar njëherë medaljen e artë, një herë të argjendtën dhe njëherë të bronztën. Tani janë duke u bërë përgatitjet për pjesëmarrjen e radhës që mbahet në muajin tetor.
Duke biseduar për çështjet e sigurisë, u theksuan sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus në Ukrainë.
Kryeministri Kurti tha që Republika e Kosovës është rreshtuar përkrah botës demokratike, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dënuar sulmin dhe duke vendosur masat sanksionuese ndaj Federatës Ruse.
Gjithashtu, ai theksoi ndihmën e qeverisë për Ukrainën, ofrimin e strehimit për 5000 refugjatë dhe kushteve të punës për 20 gazetarë ukrainas, katër prej të cilëve tashmë janë vendosur në Kosovë dhe po vazhdojnë të merren me profesionin e tyre.