Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, me të cilin kanë diskutuar për sitautën e krijuar pas pandemisë COVID-19, gjendjen e shëndetit publik dhe bashkëpunimin që duhet ndjekin dy shtetet.
Përmes një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e kryeministrit, thuhet se në këtë takim është diskutuar edhe për efektin e masave që janë ndërmarrë nga dy qeveritë rreth numrit të personave të infektuar dhe shërimeve.
Të dy bënë thirrje për kujdesin që duhet kushtuar në vazhdim dhe në vazhdimësi pasi pandemia vijon të jetë aktive.
Temë tjetër e diskutimit përgjatë takimit ishte bashkëpunimi bilateral ekonomik, rritja e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve, si dhe faktorët që duhet ta nxisin këtë qarkullim. Mbi bashkëpunimin në mes dy vendeve u diskutua edhe në fushën elektro-energjetike, pas pavarësimit elektro-energjetik të Kosovës nga Serbia dhe bashkëngjitjes në Bllokun Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri, si dhe funksionalizimit të interkonjeksionit 400 kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë pas më shumë së 6 vjetëve.
Kryeministri në detyrë Kurti dhe Ambasadori Minxhozi u zotuan për mbështetje të plotë dhe të vazhdueshme ndaj nevojave dhe kërkesave të të dy vendeve.